Sport

Brazili vallëzon sërish

Gëzimi, por edhe kërcimi, janë kthyer për pesë herë kampionin e botës, Brazilin në turneun e Katarit. Fitorja e thellë ndaj Koresë së Jugut të hënën ia siguroi Brazilit kalimin në mesin e tetë ekipeve më të mira. Ajo gjithashtu ktheu besimin e skuadrës pas një fillimi të trazuar të turneut në të cilin Brazili humbi sulmuesin Neymar për shkak të lëndimit dhe pa që seria pozitive në fazën e grupeve të përfundonte me një humbje ndaj Kamerunit.

Neymar u kthye me stil pas mungesës prej dy ndeshjeve, duke u dukur plotësisht në formë dhe duke shënuar një gol në fitoren 4:1 të Brazilit në “Stadium 974”. Vinicius Junior, Richarlison dhe Lucas Paqueta gjithashtu shënuan dhe pas çdo goli brazilianët shpërthyen në lëvizjet e vallëzimit. Ata kishin premtuar festime të ndryshme për çdo gol në Katar dhe më në fund ishin në gjendje të përdornin shumë prej tyre, pas një faze grupore në të cilën Brazili shënoi vetëm tri herë.

Pas dy fitoreve, me Serbinë dhe Zvicrën, Brazili pësoi 1:0 nga Kameruni në ndeshjen e fundit në grup. Edhe trajneri Tite hyri në aksion, duke iu bashkuar Richarlisonit për festën e tij të vallëzimit të “pëllumbit”. Trajneri dhe lojtarët u futën në një rreth dhe vendosën duart në ijë dhe filluan të lëvizin kokën përpara dhe mbrapa për të imituar një pëllumb, që është pseudonimi i sulmuesit Richarlison. Pas ndeshjes, Richarlison i tregoi kërcimin e tij ish-yllit brazilian, Ronaldo, duke ia mësuar edhe atij lëvizjet. Lojtarët e Brazilit kishin kërcyer tashmë pas golit të parë të Vinicius Junior, kur ai, Neymar, Raphinha dhe Lucas Paqueta bënë disa lëvizje së bashku. Kështu ishte pas çdo goli të shënuar ndaj Koresë së Jugut. Ndërsa i gjithë vallëzimi mori disa kritika nga ish-lojtari dhe komentatori nga Irlanda, Roy Keane, i cili tha se lojtarët brazilianë nuk po e “respektonin kundërshtarin”, veçanërisht me përfshirjen e trajnerit. Tite mbrojti lojtarët e tij.

“Vallëzimi do të thotë të jesh i lumtur për shkak të golit, performancës, fitores”, tha ai. “Nuk ka të bëjë me mosrespektimin ndaj kundërshtarit”.

Tite kishte bërë shaka me Richarlisonin para ndeshjes se nëse lojtari shënonte, ai do të kërcente me të për të festuar. Ai tha se fitorja ishte e rëndësishme për ta rikthyer moralin e skuadrës pas humbjes ndaj Kamerunit dhe se rikthimi i Neymarit ishte vendimtar për besimin e skuadrës.

“Ekipi u përmirësua. Nuk kam asgjë më shumë që mund të kërkoj prej lojtarëve”, tha ai. “Neymari është lideri ynë, skuadra e di se ai është në fushë dhe se ai bën diferencën. Ai i bën lojtarët e tjerë më të mirë”.

Neymari humbi dy ndeshje për shkak të një dëmtimi në nyjën e këmbës së djathtë, të pësuar në fitoren hapëse të Brazilit 2:0 kundër Serbisë. Brazili më pas mundi Zvicrën 1:0 përpara se të dështonte ndaj Kamerunit në atë që ishte humbja e parë në fazën e grupeve pas 17 ndeshjeve pa disfatë, një seri që kishte filluar në vitin 1998.

“Isha shumë i frikësuar”, tha Neymar. “Ishte shumë e vështirë pasi u lëndova. Kam qarë gjithë natën. Familja ime e di se çfarë më është dashur të kaloj. Por në fund gjithçka funksionoi. Ia vlente përpjekja për të vazhduar fizioterapinë”.

Brazili, që kërkon titullin e parë të Kupës së Botës në dy dekada, do të përballet të premten në çerekfinale me Kroacinë, nënkampionen në fuqi të botës. Brazili ka kaluar në çerekfinale për herën e tetë rresht në Kupën e Botës.