Sport

Paulo Dybala, ylli i Serie A që nuk po i duhet Argjentinës në Botëror

Paulo Dybala ka postuar një fotografi në Instagram duke qeshur së bashku me bashkëlojtarin tek Argjentina, Lionel Messi, me fjalët shoqëruese: “Ne vazhdojmë me një buzëqeshje! Shkojmë”.

Argjentina mund të jetë gjithnjë e më afër një vendi në finalen e Kupës së Botës. Por, në aspektin personal, Botërori i Katarit nuk ka qenë asgjë për të qeshur për Dybalan. Sulmuesi i skuadrës së Romës nuk e ka luajtur ende asnjë minutë në Kupën e Botës, pavarësisht dëmtimeve që prekën Argjentinën në ecurinë e saj të trazuar drejt çerekfinales dhe formën e dobët të Lautaro Martinezit.

Pra, cili është problemi me Dybalan, një lojtar i njohur me nofkën “La Joya” (Xhevahiri) dhe një yll në futbollin italian?

Pengesa e tij më e madhe është vetë Lionel Messi. Pozicioni i preferuar i Dybalas është ajo e numrit 10 ose roli shëtitës prapa sulmuesve, që është vendi ku superylli i Argjentinës, Messi, paraqitet më së miri. Duke qenë se nuk ka asnjë mundësi që një Messi i shëndetshëm të bjerë nga forma, Dybala duhet të zhvendoset në një pozicion tjetër që nuk i përshtatet domosdoshmërisht stilit të lojës së tij. Pastaj është dëmtimi i kofshës që për pak i kushtoi me vend në skuadrën e trajnerit të Argjentinës, Lionel Scaloni, për Kupën e Botës. Ai u lëndua kur shndërroi në gol një penallti të vonshme, duke siguruar fitore për Romën në fillim të tetorit. Ai lëndim bëri që Dybala t’i humbte tetë ndeshje për ekipin.

Dybala u kthye për ndeshjen e fundit të Romës para Kupës së Botës, duke e bindur Scalonin se ishte mjaft i shëndetshëm për t'u përfshirë në skuadrën e 26 lojtarëve. Trajneri këmbëngul se përgatita fizike nuk është arsyeja pse Dybala nuk ka luajtur ende në Kupën e Botës.

“Nëse ai është jashtë, është vetëm një vendim taktik”, insistoi Scaloni. “Paulo është mirë, ai po e mbështet grupin nga jashtë. Natyrisht, ai do të donte të luante më shumë por këto janë vendime të miat”.

Nuk ka shumë që mund të thuhet për karrierën ndërkombëtare të Dybalas. 29-vjeçari ka luajtur 34 ndeshje - shpesh si zëvendësues - për Argjentinën që nga debutimi në vitin 2015. Kjo nuk duket shumë për një lojtar të talentuar. I fundit nga tre golat e tij për Argjentinën erdhi kur u inkuadrua vonë në fitoren 3:0 ndaj Italisë në “Finalissima” - një ndeshje mes kampioneve të Evropës dhe Amerikës së Jugut – që u luajt në Londër në muajin qershor.

Dhe koha e tij e vetme në një Kupë Bote ishte në vitin 2018, kur u inkuadrua si zëvendësues në minutën e 68-të në humbjen 3:0 ndaj Kroacisë në fazën e grupeve. Argjentina përfundimisht u eliminua në 1/8 e finales nga Franca, e cila arriti të shpallet kampione e botës.

Ekziston mundësia që Dybala të ketë disa minuta në dispozicion kundër Holandës në ndeshjen çerekfinale të premten. Angel Di Maria u lëndua kundër Polonisë në ndeshjen e fundit të grupit dhe Papu Gomez, i cili zëvendësoi Di Marian në fitoren 2:1 ndaj Australisë në 1/8 e finales, doli nga fusha në atë ndeshje me disa shqetësime në nyjën e këmbës. Sipas mediave argjentinase, as Di Maria dhe as Gomez nuk u stërvitën me pjesën tjetër të skuadrës të hënën dhe martën, duke punuar individualisht dhe në tentim që të rikuperohen për Holandën. E kjo mund të lë një vend në treshen e sulmit për Dybalan, i cili shprehet i gatshëm për të luajtur. Dybala foli për “sakrificën” që bëri për t'u qenë i aftë pas dëmtimit që e pësoi para Kampionatit Botëror.

“Isha i frikësuar sepse e dija se kishte pak kohë në dispozicion për t'u rikuperuar dhe lëndimi ishte serioz”, tha Dybala. “Ishin ditë përpjekjesh të mëdha në të cilat unë munda t'i kushtoja pak kohë familjes sime, por ëndrra për t'u rikuperuar ishte shumë e madhe. Tani jam gati dhe në pritje të rastit”.

Rrëmbimi i medaljes së artë në Kupë të Botës do ta bënte atë sakrificë të vlefshme për sulmuesin. Dybala, një nga tre lojtarët e Argjentinës që ende nuk është paraqitur në turne, thjesht do të donte të luante një rol aktiv gjatë këtij rrugëtimi drejt titullit eventual të botës.