Sport

Heroi i ri i Kroacisë, Livakoviq, i kishte blerë veturë trajnerit që e rriti

Dominik Livakoviq është hero i ri i Kroacisë. Ai të hënën priti tri penallti për ta dërguar Kroacinë në çerekfinale të Kupës së Botës. Kroacia fitoi ndaj Japonisë pas gjuajtjes së penalltive. Livakoviq është i madh në portë, por jo vetëm në të.

Mediat kroate kanë përkujtuar të hënën se si Livakoviq dhe portieri tjetër, Josip Çondriq i kishin blerë veturë trajnerit të portierëve Zhelko Njezhiq. Kjo kishte ndodhur në vitin 2019, kur Njezhiq ishte 73-vjeçar. Ai ka punuar me dy portierët cilësorë sa ata ishin shumë të rinj. Në shi, lloç, erë, borë. Asnjëherë nuk ishte ndalur. Njezhiq është i njohur si gjyshi, ndërsa ka ndikim në botën e portierëve. Sipsa mediave kroate, videot e tij i shfrytëzon edhe Manuel Neueri.

Dy portierët kishin vendosur t’ia blejnë veturën pasi kuptuan se vetura e vjetër e trajnerit që i ndihmoi shumë, ishte prishur. “Pos portierë cilësorë, Josipi dhe Dominiku janë treguar edhe njerëz të mirë. Çka të them, isha i shokuar. Nuk po mund të besoj që është e vërtetë”, kishte folur në emocione trajneri i njohur si “gjyshi”.