Sport

Ronaldo synon të shkëlqejë si Mbappe e Messi në Kupën e Botës

Descriptive Text

Kylian Mbappe është golashënuesi më i mirë. Lionel Messi ka emocionuar tifozët me golat dhe driblimet e tij.

Po Cristiano Ronaldo, një nga superyjet e tjerë në Kupën e Botës?

Ai ka thyer një rekord turneu duke u bërë lojtari i parë që shënon gola në pesë Kupa të Botës. Por, që nga konvertimi i penalltisë në ndeshjen hapëse të Portugalisë, Ronaldo ka pasur kohë mjaft të qetë.

Ndoshta ai është gati të shpërthejë në fazën e eliminimit dhe të fshijë një të metë në karrierën e tij. Asnjë nga tetë golat e Ronaldos në Kupën e Botës nuk ka ardhur në fazën e eliminimit.

Pesë herë lojtari më i mirë i vitit në botë shkon në 1/8 e finales në Botëror përballë Zvicrës, e cila nuk ka përparuar përtej kësaj faze që nga viti 1954. Sidoqoftë, është e njëjta Zvicër që eliminoi Francën në 1/8 e finales në Kampionatin Evropian vitin e kaluar dhe është bërë një nga skuadrat më të qëndrueshme të kontinentit. Portugalisë mund t'i duhet që Ronaldo të shënojë gola. Dhe vetë lojtari me siguri do të dëshirojë ta rikthejë veten në qendër të vëmendjes, pasi ka parë Messin, rivali i tij i madh, të paraqitet aq mirë për Argjentinën në fitoren ndaj Australisë në 1/8 e finales. Ka parë edhe Mbappen, që po shndërrohet shpejt në superyll të futbollit, që tashmë ka shënuar pesë gola për Francën në rrugën drejt çerekfinales.

Ende duke shfaqur vetëbesim në moshën 37-vjeçare, Ronaldo vazhdon të mbështesë veten për të performuar në nivelin më të lartë. Megjithatë dy paraqitjet e fundit në fazën e grupeve ishin të dobëta. Goli i tij i vetëm deri më tani ka ardhur nga penalltia në fitoren hapëse të Portugalisë ndaj Ganës. Portugalia fitoi dy ndeshjet e para të grupit për të avancuar tutje, kurse humbja nga Koreja e Jugut, në të cilën Ronaldo ishte titullar, nuk pati ndonjë efekt. Ai do të luajë për herë të katërt në 13 ditë dhe kjo është ngarkesa e madhe këto ditë për Ronaldon, koha e lojës e të cilit është menaxhuar për një vit e gjysmë në Manchester Unitedi.

Ronaldo ende po përpiqet të bindë një klub të mundshëm se ia vlen të investojë në të kur të përfundojë Kupa e Botës. Tani ai është lojtar i lirë pasi u largua nga Unitedi në rrethana kontestuese. Në fakt kohët e fundit është raportuar se Ronaldo do të luajë në Arabinë Saudite, saktësisht te Al-Nassr, klub që i ka ofruar pagë vjetore prej 200 milionë eurosh.

Shënimi i golave në fazën eliminatore të Kupës së Botës do t'i ndihmonte shumë Ronaldos për të siguruar një lëvizje të fundit të madhe. Portugalia do të mirëpresë lojtarët e saj kryesorë të pushuar kundër Koresë së Jugut, si Bruno Fernandes, Bernardo Silva dhe Ruben Dias. Joao Felix gjithashtu duhet të kthehet në sulm për të luajtur përkrah Ronaldos, i cili ka shënuar 118 gola ndërkombëtarë. Përzgjedhësi i Portugalisë, Fernando Santos, duhet të vendosë nëse do të luajë me Raphael Guerreiron në krahun e majtë dhe do të rikthejë Joao Cancelon në të djathtë, ose do të lërë Cancelon në atë pozicion për të akomoduar Diogo Dalotin në anën e djathtë.

Portugalia nuk e ka kaluar 1/8 e finales që nga kualifikimi në gjysmëfinale në vitin 2006.

Sa i përket Zvicrës, njeriu i rrezikshëm është Breel Embolo, i cili shënoi dy herë në fazën e grupeve dhe katër herë në pesë ndeshjet e fundit për përfaqësuesen e tij. Fituesi i kësaj përballjeje në çerekfinale do të luajë me fituesin e duelit mes Marokut dhe Spanjës, i cili po ashtu zhvillohet të martën.