Ish-sulmuesi i Zvicrës e krahason Shaqirin me Messin
Ish-sulmuesi i Zvicrës, Kubilay Turkyilmaz ka thënë se Xherdan Shaqiri te Zvicra është si Lionel Messi te Argjentina.
“Shaqiri i ka të gjitha liritë – si Messi. Ai mund të bëjë çarë të dojë. Të gjithë rreth tij punojnë për të. Të tre në qendër të mesfushës e bëjnë këtë pa u ankuar. Xhaka, Sow dhe Freuler luajtën në përgjithësi shkëlqyeshëm. Dhe, pastaj Zakaria hyri shumë i fortë”, ka thënë Turkyilmaz për “Blick”.
Ai ka përshëndetur ekipin zviceran që pas ndeshjes rrethuan kapitenin Granit Xhaka për të shmangur ndonjë sulm ndaj tij për shkak të kacafytjes dhe reagimeve që pati gjatë ndeshjes ndaj Serbisë, të cilën Zvicra të premten e fitoi 3:2 për të kaluar në 1/8 e finales.
Në këtë raund, Zvicra përballet me Portugalinë e Cristiano Ronaldos. Ai ka theksuar se Zvicra ka përhapur frikë tek përfaqësueset e mëdha evropiane e botërore.