Ish-reprezentuesi i Gjermanisë, Per Mertesacker, ka folur për mesfushorin kosovar të Zvicrës, Granit Xhaka, më saktësisht për veprimet e tij gjatë ndeshjes kundër Serbisë në fazën e grupeve të Botërorit 2022 në Katar.
“Edhe ne kishim menduar se ai ishte pjekur nga mësimet, që mësoi në ndeshjen me kundërshtarin e njëjtë në Botërorin 2018. Këto janë gjeste provokuese. Ndoshta ka pasur edhe një shkëmbim të fyerjeve verbale. Kjo më pas çoi në një shpërthim. Nëse Komisioni Disiplinor e sheh këtë, ndoshta do të ketë edhe dënime”, ka thënë Mertesacker për televizionin gjerman “ZDF”.
Mertesacker ka thënë se mund ta kuptojë Xhakën, por shpreson se nuk do ta dëmtojë ky veprim atë dhe Zvicrën.
“Xhaka ka kaluar shumë. Qartë e ka bërë kjo në lojtarin që është sot, por shpresojmë se nuk do të dëmtohet nga një veprim i tillë. Sepse: Zvicra është në fazën e 1/8 së finales për herë të tretë radhazi. Ajo do të ecë para tash, të shkojë më larg. Dhe për këtë i duhet një Granit Xhaka”, tha Mertesacker.
Për Xhakën ka folur edhe ish-bashkëlojtari i tij te Borussia Moenchengladbachu, Christoph Kramer.
“Nuk mund ta heqësh më këtë nga Granit Xhaka. Por, është plotësisht në rregull, pasi vetëm kështu, nëpërmjet këtij karakteri, është bërë lojtari që është”, tha Kramer.
E ish-reprezentuesi i Zvicrës, Benjamin Huggel, duke komentuar për televizionin zviceran “SFR”, tha se ishte veprim i panevojshëm ai i Xhakës.
“Shpresoj që për Zvicrën mos të ketë pasoja”, tha Huggel.
Ndërkohë kryeredaktori për sport në gazetën zvicerane “Blick”, Andreas Boni, ka thënë se është mirë që ndeshja me Serbinë ka mbaruar e mund të shikohet para.
“Provokimi i kapjes mes këmbëve është i panevojshëm, por i kuptueshëm duke pasur parasysh historinë e tij familjare dhe abuzimet që pati brenda dhe ajshtë fushës. Fakti që vesh fanellën e ‘Jasharit’ pas ndeshjes dhe bën homazhe për një hero kombëtar shqiptar, është larg domethënies. Por, për ta thënë në fjalinë e tretë: Është mirë që ka mbaruar gjithë teatri i ndeshjes me Serbinë dhe po presim me padurim ndeshjen e 1/8 së finales kundër Portugalisë të martën”, ka shkruar Boni.
Xhaka e Xherdan Shaqiri kishin qenë cak i provokimeve të tifozëve serbë dhe po ashtu të lojtarëve serbë në ndeshjen të cilën Zvicra e fitoi 3:2 të premten mbrëma.
Shaqiri shënoi një gol dhe kontribuoi në dy të tjerë. Ishte vendimtar.
Po ashtu Xhaka ishte ndër lojtarët më të mirë në fushë. Xhaka në një moment kishte reaguar ndaj provokimeve të bankës së Serbisë. Ai po ashtu nga fundi i ndeshjes pati një konfrontim me lojtarët serbë.
Xhaka pas përfundimit të ndeshjes kishte veshur fanellën e Ardon Jasharit, lojtarit të ri të ftuar nga Zvicra, dhe kishte festuar me të. Ky veprim ishte parë si provokim nga serbët.
E në një vështrim të shkruar në gazetën zvicerane “Tages Anzeiger” nga gazetari Florian Raz thuhet: “Rrnoftë gjatë Granit Xhaka”.
“Edhe një herë ka shumë zhurmë për kapitenin e kombëtares sonë. Zvicra duhet ta shijojë atë – për aq kohë sa është e mundur”, thuhet në vështrim.