Sport

Rama për Shaqirin e Xhakën: Për keqardhje të shkëputen dy lojtarë e të përdoren “mish për top”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pyetur për ndeshjen Zvicër – Serbi që u luajt të premten në Botërorin “Katar 2022”, e ku pati provokime të shumta nga tifozët dhe banka serbe ndaj dy lojtarëve shqiptarë Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka.

Zvicra triumfoi 3:2, ndërsa Shaqiri shënoi një gol në atë ndeshje.

Ndërkohë kishte bërë bujë një reagim i Xhakës ndaj bankës së Serbisë e po ashtu festimi i tij pas ndeshjes me fanellën e Ardon Jasharit.

Rama ka thënë se është për keqardhje që dy qytetarë të denjë shkëputen e bëhen “mish për top, për një lojë luftash ballkanike”.

“Unë nuk jam kryeministër i Zvicrës për të folur, por jam i Shqipërisë. Nacionalizmi, është sa qesharak aq i rrezikshëm. Nuk është e nevojshme, nuk e shoh të nevojshme. Më duket është për të ardhur keq. Si mund të shkëputen nga skuadra e tyre, dy lojtarë që janë qytetarë të denjë e të nderuar të atij shteti, dhe për këtë arsye luajnë me përfaqësuese, për shkak të kombësisë së tyre, e të përdoren mish për top, për një lojë luftash ballkanike”, tha Rama, në një bashkëbisedim me gazetarët.

Rama sa i përket mundësisë së dënimit nga FIFA për Xhakën apo për Federatën e Serbisë, ka thënë se varet nga FIFA ajo.

“Mua personalisht më duket e tepruar të hyjë në detaje, pasi gjithkush mund të festojë si të dëshirojë. Më kujtohet, nëse s’gaboj Xherdan Shaqiri në një ndeshje të Ligës së Kampionëve, në fitore të Liverpoolit, kishte festuar me flamur të Kosovës. Askush nuk kërkoi hesap për këtë. Është e drejta e tij. Por, në këtë rast FIFA ka qasje tjetër, ajo ishte UEFA”, tha Rama.