Sport

Anglia, gati për duelin me Senegalin

Përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, ka thënë se skuadra e tij është e përgatitur “mentalisht dhe fizikisht” për penallti, nëse ndeshja me Senegalin do të vendoset pas lojës së rregullt dhe vazhdimeve. Anglia luan kundër Senegalit të dielën në orën 20:00, në stadiumin “Al Bayt”.

Anglezët janë përfshirë në tri raste të ekzekutimeve të penalltive qëkur Southgate mori drejtimin e skuadrës në vitin 2016. Mposhtën Kolumbinë në vitin 2018 në Rusi dhe Zvicrën në Ligën e Kombeve më vonë gjatë atij viti. Me penallti e humbi finalen e Kampionatit Evropian ndaj Italisë në verën e vitit të shkuar.

“Jemi të përgatitur. Kemi pasur një proces të cilin e kemi përcjellë. Kemi fituar dy herë në ekzekutimin e penalltive dhe po shikojmë mundësinë se si mund të përmirësohemi. Do të mundohemi ta fitojmë ndeshjen në 90 minuta për ta evituar kohën shtesë dhe penalltitë. Por nëse duhet të shkojmë përtej lojës së rregullt, duhet të jemi mendërisht dhe fizikisht gati. Mendoj se jemi”, ka thënë Southgate në konferencën për shtyp, para ndeshjes me kampionin afrikan.

Ndërkohë, përzgjedhësi i Senegalit, Aliou Cisse, është i sëmurë dhe nuk doli në konferencën për shtyp.

“Kemi parë Kamerunin që mposhti Brazilin dhe Tunizia fitoi ndaj Francës. Ne e dimë se edhe Senegali mund ta mposhtë Anglinë. Këtë po e synojmë. Ky është një mesazh i rëndësishëm”, ka thënë asistenti i Senegalit, Regis Bogaert.