Sport

Portugalia kërkon ta shmangë Brazilin duke e fituar grupin

Descriptive Text

Faza e grupeve vështirë se mund të kishte shkuar më mirë për Portugalinë në Kupën e Botës. Fitoret në dy ndeshjet e para ia kanë siguruar kualifikimin para ndeshjes së fundit në grup. Megjithatë, në duelin e tretë të Grupit H ndaj Koresë së Jugut, që luhet të premten nga ora 16:00, Portugalia ka një mision të qartë. I duhet të paktën një pikë për ta konfirmuar pozitën e parë në grup dhe për ta evituar Brazilin në 1/8 e finales. Dueli mes Koresë së Jugut dhe Portugalisë luhet në “Educational City Stadium”.

“Nëse do të ishim përballur me Brazilin do të ishte një ndeshje mes skuadrave me nam. Por si dëshira jonë ashtu edhe e Brazilit është që të takohemi më vonë dhe jo menjëherë pas fazës së grupeve”, ka thënë trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, të enjten në konferencën për shtyp.

Pas fitores 2:0 ndaj Uruguait të hënën, Santos tha se nuk planifikon të pushojë shumë lojtarë kyç kundër Koresë së Jugut, ndonëse Cristiano Ronaldo mund të jetë një përjashtim. Tri ndeshje në nëntë ditë mund të rezultojnë shumë për sulmuesin 37-vjeçar, i cili nuk është stërvitur me ekipin dhe ka punuar i vetëm në palestër të enjten. Bazuar në këtë gjasat janë shumë të mëdha që Ronaldo të kursehet për ndeshjen me Korenë e Jugut, në mënyrë që të jetë i freskët për 1/8 e finales. Në mungesë të Ronaldos, rastin te Portugalia në sulm mund të kenë Gonçalo Ramos apo Andre Silva.

“Do të shohim për Ronaldon. Nëse është mirë fizikisht, do të luajë. Por nuk jam i sigurt. Gjasat janë 50 me 50 dhe shpresoj që Ronaldo të jetë në gjendje të luajë”, pranoi Santos.

Te Portugalia mungojnë qendërmbrojtësi Danilo Pereira, i cili theu tri brinjë në stërvitje javën e kaluar dhe mbrojtësi i krahut të majtë Nuno Mendes, që u zëvendësua në pjesën e parë kundër Uruguait për shkak të një dëmtimi muskulor dhe nuk do të paraqitet më në turneun e Katarit. Santos tha se do të marrë parasysh se cilët lojtarë janë të lodhur dhe kush ka marrë tashmë një karton të verdhë, për të shmangur kërcënimin e pezullimit. Lojtarët që janë ndëshkuar janë Ruben Dias, Ruben Neves, Joao Felix, Bruno Fernandes dhe Danilo.

“Ne duhet të përdorim të gjithë lojtarët që kemi në skuadër dhe unë kam besim në ta”, tha Santos.

Nëse zgjidhet për të luajtur, mesfushori Fernandes do të kërkojë të vazhdojë formën e mirë në Katar, ku ka shënuar dy gola – njërin prej tyre të kontestuar nga Ronaldo kundër Uruguait – dhe ka krijuar dy të tjerë.

Koreja e Jugut ka nevojë për fitore, si dhe një favor nga ndeshja tjetër që zhvillohet midis Ganës dhe Uruguait, për t'iu bashkuar Portugalisë në fazën tjetër.

Një fitore për Ganën, e cila është në vendin e dytë me tri pikë, tri më pak se Portugalia dhe dy më shumë se Koreja e Jugut dhe Uruguai, do të thotë që koreano-jugorët nuk mund të kualifikohen, pavarësisht rezultatit në ndeshjen e tyre.

Kjo mund të jetë ndeshja e fundit në krye të Koresë së Jugut për Paulo Benton, trajnerin portugez i cili tha të enjten se do të këndojë himnin kombëtar të vendit të tij të lindjes përpara se të fillojë ndeshja.

“Kam lindur portugez dhe do të vdes portugez”, tha ai. “Jam krenar që jam nga Portugalia”.

Për Benton-in kjo përballje ka edhe një kujtim tjetër, të hidhur. Ndeshja e fundit nga 35 të Bentos si lojtar për Portugalinë erdhi kundër Koresë së Jugut, që ishte dueli i tretë dhe i fundit në grup në Kupën e Botës 2002. Koreja e Jugut fitoi 1:0 për të avancuar dhe arriti në gjysmëfinale më pas. Bento vazhdoi si trajner i Portugalisë nga 2010 deri më 2014, duke udhëhequr ekipin në Kampionatin Evropian 2012 dhe Kupën e Botës 2014.

“Për ndeshjen me Portugalinë mendoj se na duhet fati. Por fatin duhet ta kërkojmë duke sulmuar për të shënuar gol. Kjo është mundësia e vetme për të bërë diçka. Bazuar në rrethanat aktuale, ne jemi në kërkim të një mrekullie”, pranoi Bento.

Son Heung-min nuk ka shënuar ende në Katar për Korenë e Jugut, që barazoi 0:0 kundër Uruguait përpara se të mposhtej 3:2 nga Gana. Son në këtë turne po luan me maskë mbrojtëse në fytyrë, për shkak të lëndimit që e pësoi në Ligën e Kampionëve duke luajtur për Tottenhamin.