Sport

Gana e Uruguai takohen sërish në Kupën e Botës pas dramës së vitit 2010

Gana dhe Uruguai takohen në Kupën e Botës të premten, në përsëritje të një prej ndeshjeve më të diskutueshme në histori të turneut. Luis Suarez ende nuk po kërkon falje për rolin e tij qendror në polemikën e 12 vjetëve më parë.

Sulmuesi Suarez ndali topin qëllimshëm me dorë në vijën e portës, në fund të kohës shtesë në çerekfinalen e Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut, duke ia mohuar Ganës një gol të sigurt dhe një vend në histori si skuadra e parë afrikane që arrin në gjysmëfinale. Suarez u përjashtua me karton të kuq për lojën me dorë, por festoi në mënyrë të çmendur kur Asamoah Gyan qëlloi traversën nga penalltia. Më vonë, Uruguai e fitoi ndeshjen pas penalltive dhe avancoi në gjysmëfinale.

Për ta bërë më keq situatën, Suarez u mburr pas ndeshjes së vitit 2010: “E vërteta është, ia vlente”.

Ndërsa, të enjten Suarez tha se nuk ndihet aspak i penduar si për veprimin, ashtu edhe për fjalët e tij.

“Nuk kërkoj falje sepse e ndala topin me dorë dhe mora kartonin e kuq. Por lojtari i Ganës humbi penalltinë. Nuk është faji im sepse nuk e humba penalltinë unë”, tha Suarez.

Gana tani mund të hakmerret në njëfarë mënyre, në ndeshjen që nis në orën 16:00, të premten. Duke mundur Uruguain në ndeshjen e fundit të Grupit H, Gana do të kalonte në 1/8 e finales, ndërsa do ta eliminonte Uruguain nga turneu. Takimi në Al Wakrah është cilësuar i nxehtë qëkur u hodh shorti i Kupës së Botës. Trajneri i Ganës, Otto Addo, u përpoq ta bënte më të mirën për ta paraqitur atë si një “lojë normale”, pavarësisht se viti 2010 mbeti një kujtim i dhimbshëm për shumë ganezë, të cilët kërkojnë hakmarrje.

“Për mua kjo nuk është një temë e madhe”, tha Addo. “Unë do të prisja që çdo lojtar të bënte gjithçka që mundet për të siguruar që skuadra e tij të kalojë. Edhe duke u sakrifikuar me karton të kuq. Ajo që ndodhi në vitin 2010 është shumë e trishtueshme, por ne nuk mund ta ndryshojmë atë. Ne duam të shohim përpara dhe duam ta fitojmë këtë lojë, nuk ka rëndësi se si”.

Gana, e cila arriti një fitore emocionuese 3:2 ndaj Koresë së Jugut në ndeshjen e fundit, duhet të fitojë sërish në Al Wakrah për të qenë e sigurt se do ta kalojë fazën e grupeve për herë të parë që nga viti 2010. Një barazim mund të jetë gjithashtu i mjaftueshëm, ndonëse varet nga rezultati i Koresë së Jugut kundër Portugalisë.

Kapiteni Andre Ayew është lojtari i vetëm i Ganës në Katar që ishte në skuadrën e vitit 2010.

Uruguai ka më shumë, duke përfshirë 35-vjeçarin Suarez, i cili po luan ndoshta për herë të fundit. Suarez krijoi reputacion si një nga personazhet më të diskutueshëm në këtë sport dhe është ndëshkuar tri herë për kafshimin e kundërshtarëve. Mori një dënim prej katër muajsh moslojë për kafshimin e mbrojtësit të Italisë, Giorgio Chiellini në Kupën e Botës 2014 në Brazil. Suarez ishte titullar në barazimin 0:0 të Uruguait me Korenë e Jugut në Katar, por ishte në stol në humbjen 2:0 ndaj Portugalisë, e cila e la Uruguain në fund të grupit.

Uruguai tani duhet të mundë Ganën dhe të shpresojë që Koreja e Jugut të mos e mposhtë Portugalinë për ta zgjatur qëndrimin në Kupën e Botës dhe karrierën ndërkombëtare të Suarezit për të paktën një ndeshje. Diferenca e golave do të vendosë nëse Uruguai dhe Koreja e Jugut fitojnë në ndeshjet e tyre.

“Ne do të vendosim jetën dhe shpirtin tonë në këtë ndeshje”, tha Suarez. “Gana është një skuadër e mirë, por ne e njohim atë. E kemi mundur më parë dhe dimë si t'i mposhtim përsëri”.