Sport

Spanja ndeshet me Japoninë për një vend në 1/8 e finales

Pasi pësoi gol në fund të ndeshjes dhe humbi mundësinë për të fituar ndaj Gjermanisë, Spanja e sheh veten edhe me një detyrë tjetër që duhet për ta përfunduar kundër Japonisë, që ta ketë të garantuar vendin në 1/8 e finales në Kupën e Botës. Spanjollët nuk kanë nevojë për diçka të madhe, pasi barazimi të enjten në ndeshjen e orës 20:00 do të ishte i mjaftueshëm. Madje, edhe humbja do të mund t’ua lejonte atyre të avancojnë nga Grupi E, varësisht nga rezultati i ndeshjes ndërmjet Gjermanisë dhe Kosta-Rikës. Japonia nuk ka aspak detyrë të lehtë, por fitorja do t’ia garantonte një vend në fazën nokaut për herën e dytë rresht. Nëse Japonia humb, atëherë do të kthehet në shtëpi.

“Do të jetë një ndeshje me presion të lartë për lojtarët tanë”, ka pranuar përzgjedhësi i Japonisë, Hajime Moriyasu, të mërkurën. “Por, ne duhet të besojmë në vetvete. Lojtarët duhet të besojnë në veten e tyre dhe duhet të besojnë në turne, në mënyrë që të luftojnë ndaj kundërshtarëve. Shpresoj se do të jenë në gjendje ta bëjnë më të mirën ndaj Spanjës dhe nëse e bëjnë këtë, atëherë rezultati do të vijë”.

Japonezët e hapën kampanjën në Katar me fitoren e madhe befasuese ndaj katër herë Kampiones së Botës, Gjermanisë, para se të pësojnë humbje nga Kosta-Rika. Spanja, e cila pësoi gol në minutën e 83-të ndaj Gjermanisë, mund të kthehet në shtëpi po ashtu nëse mposhtet dhe në rast se Kosta-Rika fiton ndaj gjermanëve, ose nëse Gjermania arrin fitore me rezultat të thellë dhe e kalon Spanjën në goldallim. Spanja në ndeshjen e parë mposhti Kosta-Rikën me rezultatin 7:0. Fitorja në “Khalifa International Stadium” ndaj Japonisë do t’ia garantonte Spanjës vendin e parë në grup, dhe do ta mbante në lojë me një përballje të mundshme ndaj pesë herë fituesit të Botërorit, Brazilit, në çerekfinale.

“Shpresojmë që të përballemi me Brazilin, sepse kjo do të thotë se ne kemi përfunduar në vendin e parë në grupin tonë”, ka thënë përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique në konferencën për shtyp. “Të fitosh Kupën e Botës duhet të fitosh ndaj të gjithëve, kështu që ne nuk do të mundohemi t’i shmangemi dikujt. Japonia ka një ekip të mirë, i cili përbëhet kryesisht prej lojtarëve që luajnë në Evropë. Ne duhet ta dominojmë ndeshjen dhe të fitojmë për shkak se të gjithë kanë mundësinë të avancojnë nga ky grup”.

Spanja hyn në xhiron e fundit të grupeve me katër pikë, një më shumë se Japonia e Kosta-Rika, ndërsa Gjermania renditet në pozitën e fundit me vetëm një pikë.

“Ne duhet të vazhdojmë edhe në këtë ndeshje ta kemi posedimin e topit dhe të dominojmë ndeshjen, pasi Japonia do të bëjë presion për shkak se do të synojë të paktën ta shënojë një gol. Jam i bindur se mund ta fitojmë këtë ndeshje, pasi jemi të motivuar dhe jemi përgatitur mirë”, tha portieri i Spanjës, Unai Simon.

Tinejxheri Gavi, i cili ishte titullar në dy ndeshjet e para, ka stërvitur i ndarë nga grupi pas barazimit 1:1 me Gjermaninë, për shkak të një lëndimi të vogël në gju. Ai pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e së enjtes, por nuk pritet të jetë titullar.

Po ashtu, nga lëndimi është rikuperuar edhe Rodri. Një tjetër mesfushor që pritet të pushohet është 34-vjeçari Sergio Busquets, futbollisti i vetëm në skuadër që ishte shpallur fitues i Kupës së Botës me Spanjën në vitin 2010. Sulmuesi Alvaro Morata, i cili realizoi nga një gol në secilën prej dy ndeshjeve të para pasi hyri në lojë si zëvendësues, mund të ketë mundësinë të aktivizohet si titullar kundër Japonisë.