Sport

Arabia Saudite synon organizimin e Botërorit në vitin 2030

Ministri i Turizmit i Arabisë Saudite, Ahmed Al Khateeb ka thënë se janë duke e shqyrtuar kandidaturën së bashku me Greqinë dhe Egjiptin për organizimin e Kupës së Botës të vitit 2030.

FIFA nuk ka vendosur ende një afat zyrtar për aplikimet, por prania e Princit të Kurorës Saudite, Mohamed bin Salman së bashku me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino në hapje të Botërorit në Doha, është një shenjë për mundësinë e organizimit të Kupës së Botës në shkretëtirë pas tetë vjetësh. Kështu kanë raportuar mediume të ndryshme të mërkurën.

Për organizimin e Kupës së Botës në vitin 2030 ka një kandidaturë e Amerikës së Jugut me Argjentinën, Kilin, Paraguain dhe Uruguain. Bullgaria, Greqia, Rumania dhe Serbia si dhe Portugalia, Spanja dhe Ukraina janë në bisedime për ofertat për Kupën e Botës nga Evropa. Botërori i vitit 2026 do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Zyrtarisht tre shteteve do t’u jepet e drejta e organizimit në Kongresin e FIFA-s në vitin 2024.