Sport

Serbët i provokojnë xhudistet tona, përgjigjen e marrin menjëherë në tatami

Descriptive Text

Një provokim tjetër kanë bërë serbët të shtunën ndaj Kosovës. Por kanë zgjedhur vendin e gabuar dhe mbi të gjitha personat e gabuar.

Dhe përgjigjen e morën menjëherë.

Në Gori të Gjeorgjisë u mbajt Liga e Kampionëve në xhudo. Xhudistet kosovare, Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu, ishin pjesë e klubit turk, Galatasaray.

Në repesazh, Galatasaray u përball me klubin serb nga Beogradi, Cërvena Zvezda. Klubi turk fitoi 3:2, ndërsa fitoret vendimtare i arritën Distria dhe Laura. Ato kishin motiv shtesë në përballje me klubin serb.

Dy xhudistet janë provokuar nga shikuesit e shumtë serbë që ishin në palestër. Cërvena Zvezda është paraqitur me ekipin e xhudisteve dhe xhudistëve, ndërsa numri i serbëve në palestër ishte goxha i madh. Kur kanë luftuar Distria e Laura ka pasur thirrje “Serbia, Serbia”, ndërsa janë shfaqur edhe flamuj serbë. Shikuesit serbë, po ashtu, kanë fishkëllyer ndaj xhudisteve tona.

Provokimet ndaj Distrisë e Laurës i ka konfirmuar trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, e po ashtu edhe përgjegjësit e Galatasarayt.

Ka kohë që xhudistet kosovare paraqiten për Galatasarayn në Ligën e Kampionëve. Dhe vazhdimisht shquhen me suksese.

Distria në kategorinë deri 52 kilogramë fitoi ndaj serbes Nadezhda Petroviq. Ndërkohë Laura në kategorinë deri 63 kilogramë e mposhti sllovenen Andreja Leshki, që u paraqit për Zvezdën në Champions. Fitore shënoi edhe Ozlem Yildiz në kategorinë deri 57 kilogramë dhe kështu Galatasaray shënoi fitore 3:2.

Klubi turk fillimisht pësoi 3:2 nga Paris Saint-Germaini. Dy fitoret e vetme i shënuan Distria e Laura.

Për medalje të bronztë, Galatasaray pësoi 3:2 nga Benfica. Sërish Distria Krasniqi e Laura Fazliu shënuan fitoret e vetme, por që nuk ishin të mjaftueshme.

Në një konkurrencë shumë të fortë, Galatasaray u rendit i pesti në Evropë.

Distria është kampione olimpike dhe fitoret e saj janë të pritura. Ndërkohë Laura gradualisht po ngrihet në nivelin më të lartë të mundshëm. Edhe të shtunën dëshmoi se është në rrugën e duhur dhe se prej saj pritet shumë në të ardhmen.

“Ka mposhtur tri xhudiste nga podiumi i Botërorit të fundit. Dy xhudistet tona shfaqën nivel të lartë, por këtë herë fitoret e tyre nuk ishin të mjaftueshme për medalje të klubit turk”, ka thënë Driton Kuka.,