Olivier Giroud do ta kalojë Thierry Henryn për t'u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te Franca, nëse shënon kundër Danimarkës në Kupën e Botës, të shtunën.
Nëse Kylian Mbappe gjen rrugën drejt rrjetës, ai do të barazohet me një tjetër lojtar të madh francez. Një fitore kundër danezëve në stadiumin “974” do ta kualifikojë Francën në raundin tjetër, madje si fituese të Grupit D, nëse Tunizia dhe Australia barazojnë në duelin tjetër.
Pra, ka shumë gjëra në lojë në këtë përballje që luhet të shtunën prej orës 17:00. Por kapiteni i Francës, Hugo Lloris, tregohet i kujdesshëm.
“Nëse shikoni shumë përpara në një garë, atëherë mund të pengoheni. Ka një mal të madh ku ne duhet të ngjitemi”, tha Lloris të premten. “Do të jetë një betejë. Fakti që danezët barazuan kundër Tunizisë, do të thotë se ata duhet të fitojnë”.
Giroud dhe Mbappe dukeshin të rrezikshëm së bashku dhe të dy shënuan në fitoren 4:1 të së martës kundër Australisë. Një gol për Mbappen do të ishte i 30-ti me fanellën e Francës. Kjo do ta barazonte me Just Fontainen, 13 golat e të cilit në Kupën e Botës 1958 mbeten rekord i turneut. Fontaine në vetëm 21 ndeshje për Francën shënoi 30 gola, përpara se karriera e tij të shkatërrohej nga një dëmtim në gju. 30 gola i ka edhe Jean-Pierre Papin, tjetër emër i madh i futbollit francez. Ndërkohë Giroud dhe Henry kanë nga 51 gola.
Giroud dhe Mbappe me të drejtë pritet të jenë një kërcënim i madh për Danimarkën. Edhe trajneri Kasper Hjulmand e pranoi një gjë të tillë.
“Sigurisht që kemi frikë nga ta. Megjithatë shpresoj se jemi të gatshëm për t’i ndalur”, tha ai.
Hjulmand do të vendosë qendërmbrojtësin Simon Kjaer për të ndalur shokun e tij te Milani, 36-vjeçarin Giroud.
“Giroud ka treguar se ndoshta është edhe më i mirë se më parë. Por Simoni e njeh mirë. Shpresoj se ky është një avantazh për ne”, tha selektori danez. “Franca është shumë e fortë, pavarësisht mungesave që ka. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, do të shohim si do të shkojnë gjërat”.
Partneriteti Giroud-Mbappe është i rëndësishëm për objektivat e Francës, sidomos pas mungesës së Karim Benzemas. Këtë e pranon edhe trajneri Didier Deschamps.
“Ata luajtën mirë në ndeshjen e parë me Australinë dhe besoj se do ta kenë një paraqitje të mirë edhe ndaj Danimarkës”, tha Deschamps.
Edhe pse e ka sulmin e fortë, mbrojtja e Francës është dobësuar. Sidomos pas lëndimit të Lucas Hernandezit në ndeshjen e parë, Ai e ka përfunduar Botërorin pas vetëm tetë minutave lojë. Qendërmbrojtësi Raphael Varane do të jetë i gatshëm për këtë ndeshje, pasi është rikuperuar nga lëndimi që nuk e lejoi të luante kundër Australisë. Deschamps e konfirmoi Varanen në përbërje, kurse tha se ekipi ka nevojë për mbrojtësin shtatlartë. Deschamps e sheh Danimarkën si kundërshtare shumë të vështirë, duke pasur parasysh se danezët e mposhtën dy herë Francën këtë vit në kuadër të Ligës së Kombeve.
“Unë mendoj se danezët janë të nënvlerësuar duke marrë parasysh cilësinë e tyre të vërtetë. Ata janë në gjendje të ndryshojnë sistemet lehtësisht gjatë një ndeshjeje dhe kjo shkakton probleme. Nuk do të jetë aspak lehtë për ne, pasi Danimarka është kundërshtare shumë e fortë”, u shpreh Deschamps.
Edhe nëse danezët kanë atë që duhet për t'iu shkaktuar probleme francezëve në mbrojtje, pyetja është nëse mbrojtja e Danimarkës mund të ndalojë sulmin e ri të Francës.