Ndeshja hapëse ndaj Japonisë do t’i japë drejtim paraqitjes së Gjermanisë në Kupën e Botës. Ndeshja do të tregojë forcën e Gjermanisë, por edhe përkrahjen që përfaqësuesja do ta ketë apo jo në shtëpi.
Faza përgatitore e Gjermanisë ishte shoqëruar me protesta të tifozëve, komunikata politike, thirrje për bojkot dhe paraqitje të zbehta të përfaqësueses që po mundohet të ndizet sërish, pas eliminimit të befasishëm në fazën grupore në “Botërorin 2018”.
Ishte hera e parë që Gjermania, kampionia e katërfishtë e botës, u ndal në fazën grupore të Botërorit.
Ndeshja me Japoninë luhet prej orës 14:00, ndërsa një paraqitje bindëse e Gjermanisë në ndeshjen e 110-të të saj në Kupën e Botës mund të demantojë kritikët dhe të bindë tifozët gjermanë që të heqin dorë nga bojkoti i paralajmëruar i Botërorit. Në Gjermani ishin aktet më të shumta protestuese ndaj të drejtave të njeriut në Katar.
Gjermania luan me Spanjën të dielën, ndërsa më 1 dhjetor e luan ndeshjen e fundit në grupin E ndaj Kostarikës.
Por ndeshja me Japoninë nuk do të jetë e lehtë për gjermanët. Japonia po tenton të kualifikohet për herë të parë në çerekfinale, në paraqitjen e shtatë rresht në Kupën e Botës.
“Ne duam të kalojmë në një të tetën e finales dhe duam të shkojmë edhe më larg”, ka thënë trajneri i Japonisë, Hajime Moriyasu, të martën. “Për ne kjo do të nënkuptonte ndryshim të historisë. Ky në fakt edhe është synimi ynë”, ka shtuar selektori japonez.
Shtatë lojtarë të Japonisë luajnë në Bundesligë, ndërsa një tjetër në kategorinë e dytë gjermane.
“Ata luajnë kundër apo së bashku me top-lojtarët në ligë. Dhe jam i bindur se lojtarët tanë do të shfaqin në ndeshje atë që e kanë mësuar”, ka shtuar Moriyasu.
Gjermania do të jetë pa Leroy Sanen, që mungoi në stërvitjen e së martës për shkak të një lëndimi në gju. Jamal Musiala pritet të zërë vendin e Sanes në krahun e majtë.
Gjermania dukej larg formës së kërkuar në ndeshjen e fundit përgatitore, ndaj Omanit. Ka pasur telashe defansive në paraqitjen e Gjermanisë. Gjermania ka fituar vetëm një prej shtatë ndeshjeve të fundit.
Në kohën kur ekipi dështoi të impresiononte në fushë, fokusi ishte në zhvillimet jashtë saj. Por tani është koha për ndeshjen e parë dhe fokusi i të gjithëve do të jetë në fushën e blertë. Gjermania vazhdimisht llogaritet prej përfaqësueseve që mund të shkojë larg. Dhe kështu është edhe në Katar. Ndeshja me Japoninë do të tregojë shumë gjëra për gjermanët dhe synimet e tyre.