Sport

Lautaro i shokuar me humbjen nga Arabia Saudite

Sulmuesi i Argjentinës, Lautaro Martinez ka mbetur i shokuar me humbjen nga Arabia Saudite.

Argjentina u mposht 2:1 në ndeshjen e parë të Grupit C, ndonëse ishte në epërsi pas pjesës së parë. Me këtë humbje, Argjentina i dha fund edhe serisë prej 36 ndeshjeve pa humbje.

Pas ndeshjes, Lautaro e ka shprehur zhgënjimin e tij të madh. Ai ka thënë se tani duhet të mendojnë për dy ndeshjet tjera në grup, të cilat i quajti si finale. Lautaros në duelin ndaj Arabisë Saudite iu anulua një gol në pjesën e parë për shkak të pozitës jashtë loje.

“Në pjesën e parë është dashur të shënonim më shumë se një gol, por kjo është Kupa e Botës dhe tani na kanë mbetur edhe dy finale, që patjetër duhet t'i fitojmë”, ka thënë Lautaro.

“Kjo humbje dhemb shumë. Ne kishim shpresa të mëdha që të fillonim me fitore në Botëror. Por, tani kjo ka marrë fund dhe duhet të stërvitemi dhe të mendojmë për duelet që na presin”.