Sport

Anglia publikon listën, lojtarë të njohur mbesin jashtë Botërorit

Kupa Botërore e futbollit mbahet prej 20 nëntorit deri më 18 dhjetor. Anglia përballet me Iranin në ditën e dytë të Botërorit. Tek Anglia nuk ka vend për Fikayo Tomori, Tammy Abraham dhe disa lojtarë tjerë të njohur

Mesfushori i Leicester Cityt, Jamer Maddison, është përfshirë në ekipin e 26 lojtarëve në të cilët përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, llogarit për Kupën e Botës. Pos tij në ekipin anglez është përfshirë edhe sulmuesi i Newcastlet, Callum Wilson. Asnjëri prej tyre nuk ka luajtur për Anglinë që nga viti 2019. Por, forma e shfaqur së fundi në nivel klubesh ka bërë që të ftohen për Botërorin në Katar që fillon më 20 nëntor.

Duke diskutuar për përfshirjen e Maddisonit, selektori Southgate ka thënë: “Ai po luan vërtet mirë. Ne mendojmë se ai mund të na japë diçka pak më ndryshe prej sulmuesve që i kemi. Ai po luan aq mirë sa çdo sulmues tjetër në vend. Ai është pak më ndryshe nga të tjerët. Mendoj se kjo mund të na duhet”.

Maddison së fundi ka luajtur për Anglinë në nëntor të vitit 2019, kurse Wilson së fundi është paraqitur në tetor të vitit 2019.

Maddisoni ishte prej lojtarëve anglezë më të përfshirë në shënimin e golave që nga gushti i vitit 2021, ndërsa Wilson ka shënuar gjashtë gola në Premier League këtë edicion, kurse i ka edhe dy asistime.

Trajneri i Leicesterit, Brendan Rodgers, është i lumtur për Maddisonin, për të cilin ka thënë se është “një prej lojtarëve më të mirë në Premier League”.

“Është lajm shumë i mirë për Jamesin dhe familjen e tij. Nga perspektiva e trajnerit jam i lumtur edhe për Garethin, që do ta ketë në dispozicion një lojtar kaq të talentuar në një turne të madh”, ka thënë Rodgers.

Mesfushori i Chelseat, Conor Gallagher, po ashtu do të shkojë në Botërorin e tij të parë. Ai ka luajtur për herë të parë për Anglinë në nëntorin e kaluar. Këtë vit i kishte edhe tri paraqitje. Në përfaqësuese është edhe mbrojtësi i Arsenalit, Ben White, që ishte edhe në “Euro 2020”, por nuk luajti. Lëndimi i mbrojtësve si Reece James dhe Ben Chilwell, së bashku me formën e lartë të White, kanë bërë që ai të jetë në Katar.

Dyshja e Manchester Cityt, Kyle Walker dhe Kalvin Phillips po ashtu janë përfshirë, ndonëse janë kthyer së fundi nga lëndimet. Ndërkohë kapiteni i Manchester Unitedit, Harry Maguire, është përfshirë në skuadër, ndonëse po luan pak.

“Kalvini është një nga mbrojtësit e qendrës më të mirë që kemi. Kalvini ka luajtur mbrëmë kështu që mendoj se e ka kaluar lëndimin. Kyle nuk është kthyer ende në stërvitje të plota, por do të jetë në dispozicion para se të përfundojë faza grupore”, ka theksuar Southgate.

Disa lojtarë të njohur kanë mbetur jashtë si: Ivan Toney, Tammy Abraham, Jamer Ward-Prowse, Jadon Sancho dhe Jarrod Bowen. Mbrojtësi Tyrone Mings, Fikayo Tomori dhe Marc Guehi po ashtu nuk janë ftuar.

Ekipi i Anglisë për “Katari 2022”

Portierë: Jordan Pickford (Everton), Aaron Ramsdale (Arsenal), Nick Pope (Newcastle)

Mbrojtës: Kieran Trippier (Newcastle), Trent Alexander-Arnold (Liverpool), Kyle Walker (Man City), Benjamin White (Arsenal), Harry Maguire (Man Utd), John Stones (Man City), Eric Dier (Tottenham), Conor Coady (Everton), Luke Shaw (Man Utd)

Mesfushorë: Declan Rice (West Ham), Jude Bellingham (Borussia Dortmund), Kalvin Phillips (Man City), Jordan Henderson (Liverpool), Conor Gallagher (Chelsea), Mason Mount (Chelsea)

Sulmues: Harry Kane (Tottenham), Callum Wilson (Newcastle), Marcus Rashford (Man Utd), Raheem Sterling (Chelsea), Bukayo Saka (Arsenal), Phil Foden (Man City), Jack Grealish (Man City), James Maddison (Leicester City)