Ylli i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur për “Radioestadio” pasi shënoi golin e fitores për Mallorcan të mërkurën mbrëma kundër Atletico Madridit.
Muriqi realizoi golin e vetëm, ndërsa Mallorca fitoi 1:0.
Muriqi ka realizuar tetë gola në La Liga.
“Kam filluar të punoj që nga mosha nëntëvjeçare. Kam punuar në shumë gjëra, kam jetuar luftën në Kosovë dhe kam parë gjëra që asnjëri nuk duhet t’i shohë”, tha Muriqi.
Ai ka folur edhe për festën duke e mbyllur syrin si pirat.
“Më thonë pirat, për këtë arsye është ky festim. Nuk mendoj se jam ende një idhull në Mallorca. Kam shtatë muaj, por shpresoj që ta përfundojë karrierën time këtu”, tha Muriqi.