Sport

Peja vazhdon me fitore, mposht për dy pikë Prishtinën

Peja ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma në “Karagaçin” e mbushur me shikues, Peja fitoi ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 79:77. Ishte kjo kryendeshja e xhiros së tetë të Superligës.

Peja ka vetëm fitore deri më tani dhe udhëheq në tabelë me 16 pikë. Prishtina ka pësuar humbjen e tretë. I ka 13 pikë në pozitën e tretë.

Qendra Brad Waldow ishte më i dalluari te Peja. Ai ndeshjen e mbylli me 12 pikë, 12 kërcime e tri asistime. Më efikasi ishte Rodney Purvis me 20 pikë. Purvis shtoi tri kërcime e katër asistime. Isiah Umipig realizoi 14 pikë e pesë asistime.

Te Prishtina u dallua Dustin Thomas me 21 pikë e 11 kërcime. Derrick Wilson i kishte 14 pikë e katër kërcime, ndërsa Dardan Berisha ndeshjen e mbylli me 13 pikë e nëntë asistime.

Prishtina kishte gjuajtjen e fundit për të fituar ndeshjen, por Rrezart Memedi nuk qëlloi cakun.

“Fitorja ishte shumë e rëndësishme për ne. Nuk jam i lumtur me paraqitjen. Ndeshja u hap dy minuta para fundit. Duhet të jemi të koncentruar dhe jo të relaksohemi dhe të bëjmë gabime që nuk lejohen. Ishim në epërsi prej 10-12 pikëve. Dy minuta para fundit kemi menduar që loja është kryer dhe jemi relaksuar. I kemi lejuar kundërshtarit që të afrohet. Tifozët ishin të jashtëzakonshëm. Na kanë dhënë energji dhe dua t’i falënderoj ata”, ka thënë trajneri i Pejës, Can Sevim.

Prishtina e fitoi çerekun e parë, 23:18. Pejanët u kthyen në të dytin, duke e fituar 26:17. Çereku i tretë ishte i barabartë, 20:20 dhe kështu ndeshje ishte e hapur deri në fund.

“Ndeshjet me Pejën janë çdo herë derbi. Kemi pritur që gjuajtja e fundit të përfundoi në kosh, por nuk ndodhi. Jam i kënaqur me paraqitjen e djemve. Kemi dominuar në çdo aspekt të lojës, pos gjuajtjes për tri pikë”, ka thënë Andin Rashica, ndihmës-trajner te Prishtina.