Sport

Me kthimin e Muriqit, Mallorca u kthehet fitoreve

“Shpresoj që Muriqi të kthehet me gol”, tha trajneri i Mallorcas, Javier Aguirre në konferencën për media para ndeshjes me Valencian. Dhe kështu u bë.

Sulmuesi kosovar u kthye suksesshëm në fushë. Pas përjashtimit me karton të kuq, Muriqi mungoi ndaj Sevillas dhe Real Sociedadit. Është vërejtur mungesa e tij në fazën e sulmit te Mallorca. Kjo është arsyeja pse rikthimi i tij ishte shumë i rëndësishëm për skemat e trajnerit meksikan.

Muriqi ishte titullar në “Mestalla” dhe bëri një lojë të shkëlqyer, duke shënuar gol. Kosovari ka fituar besim në gjuajtjen nga penalltia dhe të njëjtën gjë e bëri edhe të shtunën ndaj Valencias. Ai shënoi golin e pestë në sezon, sa i kishte edhe sezonin e kaluar. Mallorcas iu bashkua në janar, ndërsa në korrik klubi spanjoll bleu kartonin e sulmuesit të Kosovës nga Lazio. Me Mallorcan ka kontratë deri në vitin 2027.

“Jam shumë i lumtur sepse jam kthyer pas dy ndeshjeve dhe kam qenë në gjendje të ndihmoj shokët e skuadrës. Dhe jam rikthyer me gol. Mendoj se një sulmues nuk mund të kërkojë më shumë. Ne kemi vuajtur shumë në këto katër ndeshje që i kemi fituar dhe kemi vuajtur edhe në ndeshjen e fundit”, ka thënë Muriqi.

Fitorja ndaj Valencias për Mallorcan është shumë e rëndësishme. I duhej fitorja për të ruajtur qetësinë në kampionat, pasi pati dy humbje rresht. Mirëpo, Muriqi tashmë po mendon për ndeshjen e së premtes kundër Espanyaolit.

“Tani le të festojmë, por duke mos harruar se duhet të rikuperohemi pasi të premten kemi një ndeshje tjetër që ta fitojmë. Na duhet fitorja që të jemi edhe më të lumtur”, është shprehur Muriqi, shkruan “Marca” të dielën.

Sulmuesi shtatlartë në nëntë ndeshje në La Liga ka shënuar pesë gola. Ai është lojtari kryesor i Mallorcas, po ashtu edhe i Kosovës. Për Kosovën në 44 ndeshje ka shënuar 23 gola.

Karrierën si futbollist Muriqi e ka nisur në Kosovë te Liria e Prizrenit. Ka luajtur edhe në Shqipëri te Teuta e Durrësit dhe Besa e Kavajës. Ka luajtur më pas në Turqi te Giresunspori, Gençlerbirligi, Rizespori dhe Fenerbahçe. Karrierë ka bërë edhe te Lazio. Në Itali nuk shkëlqeu dhe u largua në verë për t’iu bashkuar përfundimisht Mallorcas. Te kjo skuadër po shkëlqen.