Skuadra e Shkupit ia ka shkaktuar Strugës disfatën e parë të sezonit në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut. Kampioni në fuqi, Shkupi, të dielën fitoi ndaj Strugës me rezultatin 1:0. Ishte ndeshje e xhiros së 11-të.
Me këtë fitore, Shkupi pozicionohet në vendin e tretë me 18 pikë. Struga është lidere me 25 pikë në 10-të ndeshje të luajtura. Fredy Alvarez e shënoi golin e vetëm të ndeshjes. Ai në minutën e 57-të realizoi nga penalltia.
Ndërkohë, Shkëndija të shtunën fitoi në udhëtim te Rabotniqki me rezultatin 4:2, pavarësisht se mbeti me dy futbollist më pak në fushë. Ferhan Hasani në minutën e 68-të dhe Mevlan Murati në minutën e 77-të, u përjashtuan nga loja. Shkëndija është e dyta në tabelë me 19 pikë.