Sport

Klopp: Haalandi është më i miri në botë

Jurgen Klopp - Trajner i Liverpoolit

Juergen Klopp ka thënë se Erling Haaland i Manchester Cityt është sulmuesi më i mirë në botë.

Trajneri i Liverpoolit këto komente i ka bërë të premten para ndeshjes derbi me Manchester Cityn.

Ai e ka krahasuar Halandin me Zlatan Ibrahimoviqin.

“Të ngjashëm si Haalandi ndoshta nuk ka, por ka sulmues tjerë të gjatë, fizik e teknik. Ndoshta nuk ka të ngjashëm si ai. Ibrahimoviqi, i cili është i jashtëzakonshëm, është i gjatë po ashtu. Por, Haalandi përfshin shumë gjëra dhe është e rrallë. Përfundimi i aksioneve është i shkëlqyer nga ai. Haland lëviz shumë mençur që e bën edhe më të mirë”, ka thënë Klopp, ndër të tjera.

Haalandi u transferua në verë nga Borussia Dortmundi. Norvegjezi ka 15 gola të shënuar në ligë në nëntë paraqitje. I ka 20 gola në të gjitha garat. Ka realizuar në 11 ndeshjet e fundit të Cityt.