Barcelonë, 13 tetor (AP) – Barcelona nuk arriti ta marrë fitoren që i duhej në shtëpi kundër Interit. Dhe Barça rrezikon seriozisht që për edicionin e dytë rresht mos të avancojë përtej fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.
Sulmuesi Robert Lewandowski shënoi në kohën shtesë për ta shpëtuar Barcelonën nga humbja në “Camp Nou”. Megjithatë barazimi 3:3 ndaj Interit nuk i jep shumë shpresa ekipit për t’u paraqitur në fazën e nokautit.
Në fakt, humbja do ta eliminonte automatikisht Barcelonën të mërkurën, ndërsa barazimi ia mbanë shpresat gjallë, të paktën edhe për një javë. Barcelona zë vendin e tretë në Grupin C me katër pikë, tri më pak se Interi që renditet i dyti, kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund të fazës grupore. Bayerni tashmë ka avancuar prej këtij grupi me 12 pikë të tubuara në katër ndeshje të zhvilluara, ndërsa Viktoria Plzeni mbetet i fundit në tabelë pa pikë. Me situatën aktuale, Interi e ka në dorë fatin e Barcelonës. I ka ndeshjet kundër Plzenit në Itali dhe Bayernit në Gjermani. Fitorja e Interit ndaj Plzenit, që tashmë i ka humbur të gjitha gjasat në Champions, mjafton që ekipi italian të avancojë në rundin tjetër prej pozitës së dytë të Grupit C. E eliminimi i Barcelonës mund të konfirmohet javën tjetër, pasi prej orës 18:45 Interi përballet me Plzenin. Ndërsa, në orën 21:00 Barcelona e pret Bayernin. Dy të parët në grup avancojnë.
“Liga e Kampionëve nuk është treguar aspak e mirë me ekipin tonë. Tani është vështirë të kalojmë grupin dhe është një turp i madh për Barcelonën”, ka theksuar trajneri i Barçës, Xavi.
Për ta zënë vendin e dytë në grup, Barcelona duhet patjetër t’i fitojë dy ndeshjet e fundit dhe të shpresojë që Interi të mos marrë më shumë se dy pikë prej dy dueleve, gjë që duket e pamundur. Te Barcelona tashmë janë pajtuar me fatin e tyre dhe do të përpiqen ta kthejnë fokusin kah La Liga. Pas eliminimit nga Championsi, Barça do t’i vazhdojë garat në Ligën e Evropës.
“Është shumë zhgënjyese. Është e vërtetë që jemi pjesë e një grupi të fortë, por është dashur të kemi rezultate më të mira, sidomos pas transferimeve që i kemi bërë. Ende asgjë nuk ka përfunduar, por realisht për ta kaluar grupin tashmë është shumë e vështirë. Me asgjë nuk varet prej nesh, pra nuk e kemi fatin në duart tona. Dikush tjetër tani vendos”, ka thënë kapiteni, Sergio Busquets.
Për Barcelonën kjo do të jetë hera e parë prej vitit 1999 që dështon ta kalojë fazën e grupeve të Championsit për dy sezone rresht. Dhe ky dështim sipas mediumeve spanjolle lidhet me largimin e Lionel Messit. Superylli u largua verën e shkuar nga Barcelona si lojtar i lirë për t’u transferuar te Paris Saint-Germaini.
Dështimi në garën me prestigjioze të Evropës do të jetë zhgënjim i dyfishte për Barcelonën, ekip që bëri shpenzime të mëdha në afatin kalimtar të verës duke transferuar lojtarë si Lewandowski, Raphinha e Jules Kounde. Humbjet e Barcelonës do të jenë edhe në aspektin financiar, pasi eliminimi në fazën e grupeve do të thotë që klubi nuk do të mund të marrë 21 milionë eurot që i kishte llogaritur nga gara në fillim të sezonit. Sezonin e shkuar, Barça përfundoi e treta në grup pas Bayernit dhe Benficas, ndërsa u eliminua edhe në Ligën e Evropës nga Eintracht Frankfurti në çerekfinale.
“Nuk ka më shpresë për ne, pasi varet prej të tjerëve. Gabimet të kushtojnë në Champions dhe neve na ndodhi kjo. Tani duhet të fokusohemi në La Liga”, tha Xavi, ekipi i të cilit të dielën përballet me Real Madridin.