Barcelona nuk do të jetë në gjendje të heqë barrën e pagave në nivele të qëndrueshme derisa disa lojtarë veteranë t’i përfundojnë kontratat e tyre, tha të enjten nënkryetari financiar i klubit. Ndërsa prezantoi buxhetin për këtë edicion, Eduard Romeu paralajmëroi se ka të ngjarë që të duhen të paktën edhe dy edicione të tjera përpara se Barcelona të jetë në gjendje ta mbajë këtë nivel pagash të lojtarëve brenda kufijve të menaxhueshëm.
Pagat e Barcelonës u shndërruan në më të shtrenjtat në futboll nën udhëheqjen e ish-presidentit të klubit, Josep Bartomeu. Të kombinuara me ndikimin ekonomik të pandemisë COVID-19, ato e futën klubin në borxhe të mëdha prej të cilave ende po kërkon të dalë nga presidenti aktual Joan Laporta. Romeu tha se Barcelona kishte një borxh neto prej 608 milionë eurosh.
“Ajo që na largon është shuma që shpenzojmë për pagat e lojtarëve tanë”, tha Romeu. “Ka një grup kontratash që kanë një kosto shumë të lartë dhe mes këtij sezoni e sezonit të ardhshëm ato duhet të zhduken”.
Kur u pyet se ai po i referohet kontratave të veteranëve si Gerard Pique, Sergio Busquets dhe Jordi Alba, Romeu u përgjigj me “po”.
Busquetsit, i cili është i lidhur me një kalim të mundshëm në MLS të SHBA-së, i skadon kontrata me Barcelonën në fund të këtij sezoni. Ndërsa, Pique dhe Alba kanë kontrata valide deri në qershor të vitit 2024. Të tre futbollistët kanë arritur suksese të mëdha me Barcelonën, ndërsa të suksesshëm ishin edhe me Përfaqësuesen e Spanjës. Sezonet e fundit klubi u ka dhënë fund kontratave të futbollistëve me paga të majme si Lionel Messi, Luis Suarez, Antoine Griezmann e Philippe Coutinho.
Mirëpo, në vend se ta ulë koston e pagave, Barcelona e ka rritur atë këtë edicion pasi ka transferuar disa lojtarë të rinj, përfshirë Robert Lewandowskin, Jules Kounden e Raphinhan. Kështu që barra financiare e Barcelonës prej 518 milionëve sa ishte sezonin e shkuar, është rritur në 656 milionë euro për këtë edicion. Sipas Romeut, klubi po punon për ta ulur totalin e shpenzimeve të pagave në 500 milionë në total për edicion. 420 milionë euro po planifikohet të jetë totali i planifikuar për pagat e ekipit të parë, ndërsa 80 milionë eurot e tjera për ekipin e rezervistëve dhe gjeneratat e reja.
Barcelona e përfundoi edicionin 2021/22 me fitime prej 98 milionë euro. Kjo ndodhi për herë të parë në tre vjet, tha Romeu. Por kjo ishte e mundur vetëm pasi klubi katalanas shiti 25 për qind të drejtave televizive të ligës spanjolle për 25 vjet dhe asetet e tjera për 866 milionë euro.
Romeu tha se për edicionin 2022/2023, Barcelona ka siguruar 1.4 miliard euro të ardhura dhe një fitim prej 275 milionë eurosh.