Federata Ndërkombëtare e Boksit (IBA), ka rikthyer në skenë sërish boksierët nga Rusia e Bjellorusia.
Boksierët rus e bjellorus do të kenë të drejtë sërish të garojnë, dhe lajmi është bërë i ditur të mërkurën gjatë ditës nga IBA në faqen zyrtare.
“IBA rikthen në gara boksierët rus dhe bjellorus. Bordi i IBA-s ka votuar në favor për ta pezulluar vendimin e kaluar dhe i lejon boksierët e Rusisë dhe Bjellorusisë të garojnë në ngjarjet e IBA-s me efekt të menjëhershëm. IBA fuqishëm beson se politika nuk duhet të ketë ndikim në sport. Prandaj, të gjithë sportistët duhet të kenë trajtim të barabartë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e lëshuar të mërkurën.
Federata Ndërkombëtare e Boksit ka thënë se do të qëndrojë neutrale dhe e pavarur në aspektin politik, si dhe ka kërkuar për paqe.
“Ekipet ruse dhe bjelloruse do të garojnë me flamurin e tyre dhe himnet shtetërore do të intonohen nëse ata fitojnë medalje të arta. Sipas vendimit, zyrtarët teknik të Rusisë dhe Bjellorusisë do të kthehen në gara po ashtu”, thuhet në komunikatë.