Sport

Shkathtësia e Haalandit po ngjall kujtime të Cristianos dhe Messit

Erling Haaland - Manchester City - rekorde dhe gola

Kontrasti vështirë se mund të ishte më i fortë. Ndërsa Erling Haaland kompletoi “hat-trickun” e tij të fundit në një sezon që mund ta shohë atë të thyejë rekordet e golave në Premier League, Cristiano Ronaldo qëndronte ulur, me fytyrë të mërzitur, në stol. Ky ishte konfirmim i një ndryshimi të gjeneratës. Duket se jemi duke hyrë në epokën e Haalandit, me mbretërimin e Ronaldos dhe Lionel Messit të hedhur mënjanë. Sulmuesi i Manchester City ka fuqinë e shënimit të golave sikurse Ronaldo e Messi kur ishin në pikun e karrierës. Ai po luan, pa dyshim, për ekipin më cilësor dhe e ka bashkëlojtar Kevin de Bruynen, që kujdeset me asistimet e tij milimetrike.

Tre golat e Haalandit në fitoren 6:3 ndaj Manchester Unitedit të Ronaldos të dielën e çuan totalin e norvegjezit në 17 gola në 11 ndeshje për kampionin e Premier Leagues. Është një shenjë e kërcënimit të tij shkatërrues. Me 14 gola në ligë, ai është në rrugën e duhur për të kaluar 23 golat e shënuar nga fituesit e përbashkët të “Këpucës së Artë” të sezonit të kaluar, Mo Salah dhe Son Heung-Min, në vetëm edhe gjashtë ndeshje nëse vazhdon me këtë ritëm.

Vizita e Brentfordit në stadiumin “Etihad” më 12 nëntor mund të jetë ai moment. Por duke pasur parasysh formën e Haalandit, duket se nuk ka gjasa që ai të presë kaq gjatë për të arritur në kuotën e 23 golave.

Gjithçka duket shumë e lehtë për 22-vjeçarin, i cili me 193 centimetra qëndron mbi shumicën e rivalëve dhe me peshën prej 86 kilogramëve ka fuqinë të largojë mbulimin e çdo qendërmbrojtësi që mund t'i afrohet. Krijon një korridor mundësish ndryshe nga çdo sulmues në lojë aktualisht. Duket e pamundur të imagjinohet se rekordi i 34 golave në Premier League i vendosur nga Andy Cole dhe Alan Shearer nuk do të bjerë këtë sezon. Numri më i lartë i Ronaldos ishte 31, ndërsa Sergio Aguero, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te City, nuk arriti kurrë më shumë se 26.

Messi dhe Ronaldo mbeten ende pikë referimi. Kampanja më e mirë e Messit e pa atë të shënonte 73 gola në të gjitha garat për Barcelonën në edicionin 2011/12, përfshirë 50 në ligën spanjolle. Ronaldo ishte më produktiv në sezonin 2014/15 për Real Madridin, kur shënoi 61 gola.

Haaland është në rrugën e duhur për të kërcënuar këto shifra. Në ligë ai arrin në 66 gola për një sezon prej 38 ndeshjesh me ritmin aktual. Një pikëpyetje e madhe qëndron mbi gjendjen e tij fizike. Çështje të ndryshme muskulore e detyruan atë të humbasë periudha të gjata për Borussia Dortmundin – por nuk ka pasur shqetësime të tilla në fazën e hershme të karrierës së tij në City. Profili i Haalandit është rritur vetëm që nga transferimi i tij prej 65 milionë eurosh te City. Babai i tij, ish-mesfushori i Leeds Unitedit dhe Cityt, Alf-Inge, mbikëqyr punët e yllit. Ish-sulmuesi i Southamptonit, Egil Ostenstad, i cili u bë bankier pas karrierës si lojtar, është këshilltar financiar i Haalandit.

Ostenstad gjithashtu shënoi “hat-trick” kundër Unitedit në një fitore 6:3 për Southamptonin në vitin 1996. Miku më i mirë i Alf-Inge, Ivar Eggja është gjithashtu pjesë e “ekipit Haaland” dhe e shoqëroi lojtarin në prezantimin te City gjatë verës. Rafaela Pimenta, avokatja që ka punuar me superagjentin e ndjerë Mino Raiolan, është gjithashtu një figurë kyç. Pas transferimit në “Etihad Stadium”, ku Guardiola shpreson se ai do të jetë pjesa që mungon në ndjekjen e trofeut të parë të Ligës së Kampionëve, puna e radhës e “ekipit Haaland” është të sigurojë atë që të jetë një nga përkrahjet më të mëdha të futbollit ndonjëherë. Marrëveshja e tij me kompaninë e mirënjohur të veshmbathjeve sportive “Nike” ka skaduar, duke shkaktuar një “përleshje” midis prodhuesve më të mëdhenj të veshjeve sportive për të siguruar vendin e tyre në këmbët e Haalandit. Ai është parë në marka të ndryshme që kur iu bashkua Cityt, përfshirë “Niken”, “Adidasin” dhe “Puman”.