Futbollisti i famshëm argjentinas Gonzalo Higuain ka njoftuar se do ta përfundojë karrierën si futbollist në fund të stinorit 2022 të ligës MLS të SHBA-së.
Higuian i përlotur në konferencë për media të hënën ka njoftuar se po e mbyll karrierën e lavdishme si futbollist që zgjati 17 vjet e gjysmë.
Gjatë karrierës Higuain ka luajtur në ligat më të forta si Angli, Spanjë e Itali dhe me disa prej klubeve më të famshme. Po ashtu ka luajtur me sukses te Përfaqësuesja e Argjentinës, ndërsa ka shënuar mbi 300 gola dhe ka bërë mbi 100 asistime në më tepër se 700 paraqitje.
Me Argjentinën ka shënuar 31 gola në 75 ndeshje.
Higuain gjatë konferencës është ankuar se si rrjetet sociale po e dëmtojnë futbollistin.
“Ka disi një ndjesi toksike rreth futbollit në rrjete sociale. Nuk mund të imagjinoni dëmin që e bëjnë komentet në rrjetet sociale. Unë vërtetë po vuaja, familja më ndihmoi. Kështu, njerëzit të mendojnë dy herë para se të sulmojnë në rrjete sociale – është vërtetë çështje serioze”, ka thënë Higuain.
Higuain 34-vjeçar gjatë karrierës ka luajtur për skuadra si River Plate, Real Madrid, Napoli, Juventus, Chelsea, Milan dhe aktualisht te Inter Miami.
Me Real Madridin fitoi tre tituj të Spanjës dhe një herë Kupën e Spanjës e dy herë Superkupën e Spanjës. Me Juventusin fitoi tri herë titullin e Italisë dhe dy herë Kupën e Italisë, ndërsa me Napolin një herë Kupën e Italisë. Po ashtu me Chelsean fitoi Ligën e Evropës.
"LLEGÓ EL DÍA DE DECIR ADIÓS AL FÚTBOL", de esta manera, Gonzalo Higuaín anunció su retiro. pic.twitter.com/QURJv0Umxm
— SportsCenter (@SC_ESPN) October 3, 2022