Trajneri Pep Guardiola ka zbuluar se stafi mjekësor i Manchester Cityt është “sekreti” i fillimit të shkëlqyeshëm të sulmuesit Erling Haaland me fanellën e kampionit të Premier Leagues.
Haaland ka shënuar 14 gola në nëntë paraqitje në të gjitha garat që kur iu bashkua Cityt nga Borussia Dortmund në afatin kalimtar të verës. Edhe pse 22-vjeçari ishte po aq efikas te skuadra e Dortmundit, ai shpesh kishte probleme me lëndimet. I vetëdijshëm për këto çështje të përgatitjes fizike, trajneri i Cityt, Guardiola, e ka bërë prioritet të sigurohet që stafi mjekësor të mbajë Haalandin në formë të mirë, për ta udhëhequr kështu skuadrën drejt suksesit me gola. Deri më tani sulmuesi norvegjez ka qenë titullar në çdo ndeshje për Cityn dhe Guardiola për këtë e falënderoi stafin që po kujdeset për formën fizike të Haalandit, duke e quajtur si stafin më të rëndësishëm në “Etihad Stadium”.
“Të gjithë janë të rëndësishëm te City, por unë gjithmonë i kam thënë klubit se departamenti më i rëndësishëm në stafin e zhveshtores janë fizioterapeutët. Ata kujdesen për këmbët e lojtarëve, në këtë rast të Haalandit”, ka thënë Guardiola të premten. “Erlingu në Dortmund sezonin e kaluar luftoi shumë me lëndime dhe mbërriti këtu me pak probleme pas një operacioni të vogël në verë. Ai filloi të punojë këtu me fizioterapistin Mario Pafundi dhe djemtë e tjerë. Dhe falë tyre, sigurisht edhe etikës së tij të punës, ai mund të luajë rregullisht tani. Sezonin e kaluar nuk ishte e mundur kjo. Kur lojtarët nuk mund të luajnë shumicën e kohës, kjo është falë problemeve fizike”.
Roli i fizioterapeutit Pafund është kaq i rëndësishëm për Guardiolën, saqë ai udhëtoi me Haalandin gjatë periudhës së tij të fundit dyjavore me Përfaqësuesen e Norvegjisë për ndeshjet e Ligës së Kombeve.
“Nuk është e çuditshme. Në ngjarje si Kupa e Botës dhe Kampionatet Evropiane, shumë fizioterapeutë shkojnë me lojtarët dhe Mario është një fizioterapeut i jashtëzakonshëm. Ai ishte gjatë tërë kohës me Erlingun”, tha Guardiola.
Ndërsa Haaland ka përfituar nga koha e tij e kaluar me stafin mjekësor të Cityt, transferimi tjetër i verës te City, mesfushori Kalvin Phillips, mbetet ende jashtë fushës. Mesfushori anglez pati një operacion për të korrigjuar një problem të përsëritur me shpatullën gjatë pushimit ndërkombëtar, pasi luajti vetëm 14 minuta qëkur iu bashkua Cityt nga skuadra e Leeds Unitedit. Guardiola shpreson se Phillips mund të kthehet në kohë për Kupën e Botës.
“Ai po ndihet mirë. Operacioni ishte vërtet i mirë dhe lëvizshmëria po përmirësohet. Ai mori vendimin e duhur, përndryshe ai nuk mund të lëvizte përpara. Tani është zgjidhur ky problem dhe sapo të jetë gati ai mund të kthehet, shpresojmë në kohë për të shkuar në Kupën e Botës”, është shprehur Guardiola.
Krahas Phillipsit, City nuk do ta ketë në dispozicion as mbrojtësin John Stones për derbin kundër Manchester Unitedit për shkak të lëndimit të muskulit të këmbës që e pësoi derisa ishte duke luajtur për Anglinë në Ligën e Kombeve.
Dueli mes Cityt dhe Unitedit zhvillohet të dielën prej orës 15:00 në “Etihad Stadium” dhe i takon xhiros së tetë në Premier League. Guardiola pret që Stones të mungojë “ndoshta 10 ditë, dy javë”.
Aktualisht City zë vendin e dytë në Premier League me 17 pikë, një më pak se Arsenali që është lider. Ndërsa, Manchester Unitedi është i pesti me 12 pikë dhe një ndeshje më pak të luajtur se City.