Protestat që kanë shpërthyer në Iran po e lënë në hije përfaqësuesen iraniane që po bëhet gati për Kupën e Botës në futboll. Ka spekulime se skuadra është ndarë në dysh. Postimet në rrjetet sociale po zhduken në mënyrë të dyshimtë dhe ish-legjendat po përkrahin demonstratat, ka shkruar “yahoo.sports”.
Skuadra “Melli” po përgatitet për të bërë luftë garuese dhe politike në Grupin B në Katar, ku do të takohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglinë dhe Uellsin, për një vend në fazën nokaut, që do të ishte hera e parë për ekipin iranian.
Por protestuesit e kanë tundur Iranin që nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, pas arrestimit të saj nga policia famëkeqe. Kjo po ngre pyetje të parehatshme për ekipin, që ka jashtëzakonisht shumë ndikim në shtetin e çmendur pas futbollit.
Ka pasur menjëherë një hetim mbi sulmuesin e skuadrës që konsiderohet yll, Sardar Azmoun, i cili luan në Bundesligë për Bayer Leverkusenin. Ai fillimisht doli me deklarata të hapura duke dënuar goditjen vdekjeprurëse të autoriteteve, por më pas u tërhoq.
Ndërkohë, një prej emrave më të mëdhenj në futbollin iranian, ish-ylli i përfaqësueses, Ali Karimi, u bë hero për shumë protestues në Iran, kur ngriti zërin në përkrahje të protestuesve në rrjetet sociale, duke hedhur kritika mbi mediat proqeveritare.
Jehona e protestave ishte e pranishme edhe në miqësoren para Kupës së Botës kundër Senegalit në Vjenë të martën, ku protestuesit jashtë stadiumit shfaqën slogane kundër Republikës Islamike dhe thirrën emrat e Karimit dhe Azmounit.
“Ne jemi këtu vetëm për t’u lutur për ekipin: Ju lutem na përkrahni dhe mos dilni kundër nesh. Ju lutem na përkrahni”, ka thënë Mehran Mostaed, një prej organizatorëve të protestës.
“Natyrisht se ka pasoja që një lojtar i futbollit shpreh përkrahje. Në fakt pasojat në Iran për njerëzit që janë kundër regjimit janë shumë të mëdha. Por sigurisht se ata duhet të përballen me pasoja”.
Postimi i fshirë
Azmoun e nisi ndeshjen nga banka rezervë, ndërsa pati spekulime se ai mund të jetë lënë jashtë formacionit. Por ai luajti në pjesën e dytë dhe shënoi me kokë për kënaqësinë e përzgjedhësit të rikthyer të Iranit, portugezit Carlos Queiroz.
Festa e tij ishte e heshtur, kurse e gjithë skuadra mbante tuta të zeza gjatë intonimit të himnit.
Më herët gjatë kësaj jave adhurues të futbollit fotografuan postime të Azmounit në Instagram, ku theksonte se për shkak të “rregullave të rrepta në ‘Ekipin Melli’ nuk mund të them asgjë”.
Por ai shtoi se nuk mund të qëndronte i heshtur ndaj protestave, ku aktivistët thonë se janë vrarë mbi 75 persona.
“Kjo asnjëherë nuk do të fshihet nga kujtesa jonë. Turpi qoftë mbi ju!”, shkroi ai. Postimi është fshirë dhe e gjithë përmbajtja në llogarinë e Instagramit, që ndiqej nga rreth pesë milionë njerëz, është zhdukur për disa ditë.
Edhe klubi gjerman e ka përkrahur Azmounin. Në llogarinë zyrtare në Twitter është cituar drejtori Simon Rolfes duke thënë: “Natyrisht se e përkrahim solidaritetin e Sardarit me femrat e Iranit”.
Pas ndeshjes me Senegalin, llogaria e Azmounit në Instagram është rikthyer, dhe ai është shfaqur me një kërkimfalje për postimin e mëhershëm.
“Nuk ka pasur presion mbi mua për të shkruar apo për të fshirë postimin në Instagram”, ka thënë ai, duke shtuar se “nuk ka ndarje në ‘Ekipin Melli’”.
“U kërkoj falje shokëve të mi të përfaqësueses, sepse reagimi im i nxituar nxiti blogerët të fyejnë shokët e mi të skuadrës dhe të prishin qetësinë dhe rregullin brenda ekipit”, shkroi Azmoun.
Ai shtoi një tjetër postim duke përkrahur një klub të volejbollit të femrave, të cilin e ka formuar vetë, duke thënë se vdekja e Aminit ka “lënë dhimbje në shtet që nuk do të harrohet”.
Ish-legjendat
Komentet e tij po zhgënjejnë ata të cilët kanë dëshiruar qëndrim të fortë politik nga ekipi para Kupës së Botës, duke kujtuar se si lojtarët mbajtën në dorë shirita të gjelbër në vitin 2009, në përkrahje të “Lëvizjes së Gjelbër” që shpërtheu pas zgjedhjeve të diskutueshme.
Një nga lojtarët e asaj kohe, Ali Karimi, vazhdimisht ka postuar në Instagram dhe Twitter duke u vënë në përkrahje të protestuesve dhe ka dënuar vdekjen e Aminit, duke thënë se edhe uji i shenjtë nuk do të mund “ta lante këtë turp”.
“Njësoj si njerëzit e tjerë të tokës sime, nuk jam i interesuar për ndonjë post apo pozitë”, ka thënë ai. “Po shikoj vetëm për paqe, rehati dhe mirëqenie të njerëzve në gjithë pjesët e shtetit tim”.
Këto postime kanë shtyrë agjencinë e lajmeve Fars në Iran që të publikojë një artikull që kërkonte arrestimin e tij, ndërsa ka pasur raportime se prona e tij në Iran mund të konfiskohej.
Yje tjerë të futbollit iranian kanë shprehur qëndrimet e tyre në llogaritë e Instagramit.
Mehdi Mahdavikia, për disa vjet lojtar i Bundesligës, akuzoi autoritetet për “armiqësim dhe injorim ndaj njerëzve”.
Ali Daei, sulmuesi legjendar dhe ylli i Kupës së Botës 1998, i ka thënë regjimit t’i “zgjidhë problemet e popullit iranian në vend të përdorimit të represionit, dhunës dhe arrestimeve”.