Sport

Rritja meteorike e Ardon Jasharit

 

Mesfushori nga Luzerni ka pasur rritje meteorike. Ftesa e parë në përfaqësuesen e Zvicrës është pika kulmore në karrierën e shkurtër të kapitenit 20-vjeçar të FC Luzernit, shkruan sajti zyrtar i Superligës së Zvicrës në futboll

Ardon Jashari po luan mirë te FC Luzerni dhe është shpërblyer për paraqitjet e tij me ftesë në përfaqësuesen e Zvicrës në futboll. Mesfushori ishte në fushë gjashtë herë këtë edicion, ndërsa ka munguar në një ndeshje për shkak të kartonëve. Fakti që ai ka mbajtur shiritin e kapitenit katër herë, përkundër moshës së re, tregon shumë për statusin e lojtarit në ekip.

Ardon Jashari, që është vetëm 20-vjeçar, tashmë po shkëlqen në fushë me nivel të jashtëzakonshëm të sigurisë. Në fillim të vitit ai ende po luante për ekipin U21 të Luzernit dhe pak njerëz e kanë njohur. Për gjashtë muaj Jashari është bërë i rregullt në ekipin e trajnerit Mario Frick. Ai fitoi besimin e trajnerit dhe stabilizoi veten si lojtar i rregullt e madje edhe si kapiten.