Sport

Edoardo Reja: Dhamë çdo gjë, por na kushtuan gabimet

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja ka theksuar se ishin gabimet individuale që vendosën ndeshjen ndaj Izraelit.

Shqipëria është mposhtur në Izrael dhe do të garojë në Ligën B të Ligës së Kombeve edhe në edicionin e ardhshëm. Kuqezinjve u është dashur fitorja ndaj Izraelit për të shpresuar në promovim në Ligën A. Por Shqipëria pësoi 2:1 nga Izraeli, të shtunën mbrëma në Tel Aviv dhe mbetet pa gjasa.

“Ndoshta po shpresonim shumë për një barazim dhe do të ishte rezultat i mirë. Lojtarët dhanë në fushë çdo gjë, por bënë gabimet e zakonshme individuale që na kanë penalizuar gjithnjë. Flasim për të njëjta gabime. Duhet ta bëjmë hapin për të kaluar këto gabime”, ka theksuar Reja. Ai ka thënë se ndryshimi i vendosjes taktike ishte i domosdoshëm.

“Izraeli është shumë skuadër e mirë. Na vuri në vështirësi. U desh të ndryshoja vendosjen pasi nuk po funksiononte. U munduam të kontrollojmë ndeshjen. Bëmë një paraqitje të mirë në pjesën e dytë, por gabimet individuale na kushtuan si gjithmonë”, ka shtuar tekniku italian.

Reja ka thënë se prej Armando Brojës presin të gjithë shumë. Por ka shtuar se bëhet fjalë për një djalosh 21-vjeçar që duhet të formohet ende.

“Sa i përket Brojës, të gjithë presim shumë prej tij. Por djaloshi është vetëm 21-vjeçar dhe duhet të piqet. Ndaj skuadrave të tilla duhet të jetë më vendimtar në disa momente. Por ai ka nevojë të rritet dhe është ende rrugës”, ka thënë Reja.