Përfaqësuesja e Zvicrës në futboll ka shënuar fitore të rëndësishme në përpjekje për të mbetur në Ligën A të Ligës së Kombeve.
Të shtunën mbrëma, përfaqësuesja helvetike fitoi 2:1 në udhëtim ndaj Spanjës. Ndeshja është luajtur në Zaragoza.
Mbrojtësi i qendrës, Manuel Akanji ishte vendimtar te Zvicra.
Ai shënoi për 1:0 në minutën e 21-të. Spanja në minutën e 55-të barazoi rezultatin në 1:1 nëpërmjet Jordi Albas.
Ndërkohë golin e fitores për Zvicrën e shënoi sulmuesi Breel Embolo. Ai shënoi me asistim të Akanjit në minutën e 58-të.
Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri startuan te Zvicra. Xhaka e kompletoi ndeshjen, ndërsa Shaqiri u zëvendësua në minutën e 68-të.
Me fitore, Zvicra doli në pozitën e tretë me gjashtë pikë në grupin 2 të Ligës A. Çekia është e fundit me katër pikë. Spanja është e dyta me tetë pikë, ndërsa Portugalia udhëheq me 10 pikë.
Pas tri ditësh, Zvicra e pret Çekinë, ndërsa Portugalia e Spanja përballen në Braga për vendin e parë në grup.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.