Sport

Muriqi: Ndeshja ndaj Qipros për “jetë a vdekje”

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, që ndaj Irlandës së Veriut e shënoi golin e 21-të në 43 paraqitje me fanellën e “Dardanëve”, ka thënë se e kanë pasur parasysh sistemin e lojës që e luan Irlanda e Veriut. Atij i vjen keq për disfatën, por tha se ekipi do të përgatitet që ndaj Qipros të martën të marrë rezultatin pozitiv.

Kosova të shtunën në stadiumin e mbushur me tifozë, “Windsor Park”, u mposht me rezultatin 2:1 me përmbysje në fund.

“Nuk e merituam humbjen. Kemi pasur një super ndeshje, në çdo repart. E dinim se ata do të na sulmojnë me harkime. Në sekondat e fundit shënuan pas një krosimi. Ndjehemi keq me të vërtetë. Na dhemb shumë sepse nuk e merituam humbjen”, tha fillimisht sulmuesi shtatlartë.

Muriqi theksoi se nuk po luan për shifra individuale, por për gjithë ekipin, për të marrë rezultatet që kërkohen.

“E dija që do të ishte ndeshje e fortë fizike dhe isha i gatshëm. Kisha duele me Jonny Evansin. Disa i humba e disa i fitova. Por ata morën rezultatin në fund dhe fituan ndeshjen. Tani do të bëhemi gati sepse e dimë që ndeshja ndaj Qipros, mos ta teproj, por është si jetë a vdekje. Po ta kishim fituar këtë lojë, ndoshta do të thosha se do të ishte më e lehtë edhe psiqikisht, edhe fizikisht. Tash nuk kemi opsion tjetër. Në Prishtinë do të shkojmë vetëm për fitore, para tifozëve tanë”, është shprehur Muriqi.