Hungaria ka shënuar fitore të madhe në ndeshjen e parafundit të Grupit 3 të Ligës A të Ligës së Kombeve.
Të premten mbrëma, hungarezët fituan 1:0 në “Red Bull Arena” të Leipzigut, në udhëtim te Gjermania.
Me këtë fitore, Hungaria prinë në grup me 10 pikë. Ka dy pikë më shumë se Italia, ndërsa Gjermania është e treta me gjashtë pikë, pa gjasa për ta fituar grupin.
Anglia bie në Ligën B pasi u mposht nga Italia në “San Siro”.
Fituesi i Grupit 3 do të mësohet të hënën nga ora 20:45, kur Hungaria në Budapest e pret Italinë.
Golin e fitores për hungarezët e shënoi sulmuesi i Baselit, Adam Szalai, në minutën e 17-të.
Për përzgjedhësin e Gjermanisë, Hansi Flick, ishte disfata e parë prejse e mori drejtimin e skuadrës, ndërsa përfaqësuesja gjermane u mposht për herë të parë në ndeshjet e zhvilluara në Leipzig.
I kishte fituar të gjitha 11-të ballafaqimet e mëhershme.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.