Sport

Thaqi: Me ardhjen e amerikanëve mund të përmirësohemi

Trajneri i Rahovecit, Muhamed Thaqi, e ka pranuar pas ndeshjes se skuadra e Trepçës ishte favorite në ndeshjen e xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Ai e ka vlerësuar shumë cilësinë që Trepça e ka në ekip, ndërsa shtoi se skuadra e tij ka nevojë për përforcime.

“E kemi respektuar Trepçën. E kemi ditur se është favorit dhe ekip shumë i fortë. E kemi nisur ndeshjen keq. Kështu na ndodhi edhe në dy duelet e tjera. Po e nisim keq e pastaj 40 minuta jemi në ndjekje të rezultatit. Të jemi të sinqertë, ky rezultat nuk është real. Trepça ka mundur ta mbyllë ndeshjen me 20 pikë epërsi. Kemi mungesë të lojtarëve vendorë, por edhe 2-3 amerikanë nuk i kemi këtu. Ndoshta javën tjetër do t’i kemi edhe dy amerikanë. Nuk them se do të bëhemi më të mirë se Trepça apo Peja, por do të ndryshojmë në lojë”, theksoi Thaqi pas ndeshjes.

Rahoveci në tri ndeshjet e para e ka një fitore dhe dy disfata në edicionin e ri të elitës së basketbollit të Kosovës në konkurrencën e meshkujve. Pozicionohet në vendin e tretë me katër pikë.

Në xhiron e katërt, Rahoveci udhëton te Bashkimi.