Kyle Lafferty është përjashtuar nga Përfaqësuesja e Irlandës Irlandës së Veriut për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Kosovës dhe Greqisë, pasi u shfaq një video ku shihej sulmuesi i Kilmarnockut duke përdorur gjuhë sektare.
Videoja, e cila është shfaqur në rrjetet sociale, tregon Laffertyn duke reaguar derisa një burrë ishte duke pozuar për një foto, ku sulmuesi thotë “Up the Celts”.
Në një deklaratë nga Federata e Futbollit të Irlandës së Veriut, thuhej: “Lojtari i ekipit të meshkujve të Irlandës së Veriut, Kyle Lafferty, është tërhequr nga skuadra përpara ndeshjeve të ardhshme të Ligës së Kombeve të UEFA-s kundër Kosovës dhe Greqisë. Federata është në dijeni të një videoje në mediat sociale e cila është shpërndarë gjerësisht. Federata gjithashtu bën të ditur se për këtë video është nisur një hetim edhe nga klubi i sulmuesit, Kilmarnock FC”.
Lafferty, i cili ka 20 gola në 89 paraqitje për Irlandën e Veriut, është golashënuesi i dytë më i mirë i vendit të tij.
Irlanda e Veriut do të përballet me Kosovën në stadiumin “Windsor Park” të shtunën përpara se të udhëtojë për në Athinë për ndeshjen e së martës kundër Greqisë.
Lafferty nuk ishte stërvitur që nga e marta për shkak të një ankese në shpinë.
Videoja u shfaq për herë të parë të mërkurën në mbrëmje, me klubin e Laffertyt, Kilmarnocku që njoftoi të enjten në drekë se kishin nisur një hetim mbi incidentin.