Sport

Trepça luan në Rahovec, por mendjen e ka te FIBA Europe Cup

Skuadra e Trepçës synon fitoren e tretë në po aq ndeshje të luajtura në Superligën e Kosovës në basketboll. Trepça e hap xhiron e tretë, që nis të premten dhe përfundon të dielën mbrëma.

Trepça është mysafire e skuadrës së Rahovecit, ndeshje kjo që zhvillohet të premten nga ora 19:00 në palestrën “Mizahir Isma”. Trepça i ka fituar dy ndeshjet e para dhe së bashku me Pejën janë skuadrat e vetme me bilanc të qindpërqindtë në start të këtij edicioni. Edhe pse synojnë triumfin ndaj Rahovecit, te skuadra nga Mitrovica e kanë mendjen te debutimi në arenën ndërkombëtare, javën e ardhshme. Prej së martës deri të premten në palestrën “Minatori” do të mbahet turneu kualifikues i grupit A për FIBA Europe Cup, në të cilin bën pjesë edhe Trepça. Krahas Trepçës pjesë e këtij grupi janë edhe BG Gottingen (Gjermani), Petrolina AEK (Qipro), Thor Thorlakshofn (Islandë), Sportingu (Portugali) dhe Telenet Giants Antwerp (Belgjikë).

Te Trepça fillimisht duan të sigurojnë fitoren e radhës në kampionat dhe pastaj të fokusohen tërësisht në turneun kualifikues. Kështu ka insistuar basketbollisti i ekipit nga Mitrovica, Erjon Kastrati, të enjten për KOHËN. Ai pranon se Trepçën e pret një javë e ngjeshur dhe aspak e lehtë.

“Të gjithë në klubin tonë jemi të vetëdijshëm që po na pret një javë shumë e vështirë. Së pari luajmë me Rahovecin në kampionat, që është një skuadër tejet e papërshtatshme që ka cilësi dhe në shtëpi mund ta mposht cilindo ekip të Superligës”, është shprehur Kastrati. “E kemi parë në dy xhirot e para se që të jesh favorit nuk do të thotë asgjë. Prandaj në Rahovec shkojmë me përkushtim të madh, të japim gjithçka nga vetja për të marrë një rezultat pozitiv”.

Punë më e vështirë se në Rahovec e pret Trepçën në shtëpi ku është organizatore e turneut kualifikues të FIBA Europe Cup. Trepça do të luajë në çerekfinale të këtij turneu përballë Gottinghenit të Gjermanisë, të martën. Për ta siguruar fazën e grupeve duhet t’i kalojë tre kundërshtarë.

“Pas Rahovecit na pret dueli me ekipin elitar të Gjermanisë në kuadër të kualifikimeve për FIBA Europe Cup. Është një ekip tejet cilësor dhe për të cilin nuk nevojiten shumë fjalë. Do të jetë shumë vështirë por jo edhe e pamundur. Gottingeni është favorit në letër, por edhe ne kemi ekip cilësor dhe mund t’i bëjmë ballë skuadrave të tilla. Po ashtu e kemi edhe përkrahjen e fuqishme të tifozëve”, tha Kastrati. “Në përgjithësi do të jetë një javë e ngarkuar, e që shpresoj të mbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme për ne”.

Te skuadra e Rahovecit pranojnë se janë autsajder përball Trepçës, por insistojnë se nuk do të dorëzohen deri në fund të ndeshjes. Rahoveci ka një fitore dhe një humbje. E mposhti Golden Eagle Yllin në shtëpi dhe më pas humbi nga Vëllaznimi në Gjakovë.

“E kemi parasysh se Trepça është favorite sepse ka një ekip shumë të mirë. Këtë ndeshje e shoh si gjitha të tjerat, por duhet të luftojmë deri në sekondën e fundit duke e ditur që jemi autsajder. Do të japim maksimumin kundër çdo ekipi, posaçërisht kur luajmë para shikuesve tanë. Synimi ynë mbetet plejofi, por edhe mbijetesa duke i ditur investimet e ekipeve tjera”, tha trajneri i Rahovecit, Muhamed Thaqi.

Xhiroja e tretë e Superligës, vazhdon të shtunën me duelin ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Vëllaznimit, që luhet prej orës 17:00 në kryeqytet.

Të dielën janë dy ndeshje derbi. Prej orës 17:00, Peja e pret kampionin në fuqi, Golden Eagle Yllin, kurse dy orë më vonë luhet derbi i qytetit mes Bashkimit e Ponte Prizrenit.

Superliga – III

E premte

Rahoveci – Trepça (19:00)

E shtunë

S. Prishtina – Vëllaznimi (17:00)

E diel

Peja – G.E. Ylli (17:00)

Bashkimi – P. Prizreni (19:00)