Sulmuesi Vedat Muriqi beson se Kosova ka forcë ta mposhtë për herë të dytë Irlandën e Veriut.
Kosova po përgatitet në Prishtinë për dy ndeshjet e fundit të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Kosova në ndeshjen e parë në Prishtinë e mposhti Irlandën e Veriut me rezultatin 3:2. Kjo ndeshje u luajt më 9 qershor. Ndaj Irlandës së Veriut luan në Belfast të shtunën, në kuadër të Grupit 2 të Ligës C.
“Po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen kundër Irlandës së Veriut. Sigurisht se do të udhëtojmë për fitore. Në Prishtinë kemi fituar dhe e dimë se çfarë na pret atje. Atje presim të ketë shumë shikues, ku të bashkuar do të na sulmojnë të gjithë, por edhe ne kemi kualitetet tona dhe ashtu siç e kemi fituar ndeshjen e parë, besoj se do ta fitojmë edhe të dytën”, ka thënë Muriqi.
Muriqi thotë se Kosova ka ekip cilësor, ndërsa pret që mungesat të mos vërehen ndaj Irlandës së Veriut. “Besoj se kemi një kombëtare të mirë. Jemi lojtarë që shumica po luajmë nëpër ekipe. Edhe pse kemi mungesa besoj se ata lojtar që do ta kenë rastin të luajnë në pozitat e tyre që mungojnë, do ta japin maksimumin. Është me rëndësi të kenë një sistem bazë që për momentin e kemi dhe kur ke sistemin, pavarësisht kush hyn apo kush del nuk krijon shumë dallim”, është shprehur Muriqi.
Ai ka pranuar se Kosova nuk ka shënuar fitore duke dominuar në fushë, por ka theksuar se ka armë të fortë shpirtin luftarak. “Pikën më të fortë e kemi shpirtin luftarak. Ne asnjë lojë nuk kemi fituar me rezultat bindës apo me posedim të topit dhe gjuajte, por kemi luftuar dhe kemi fituar me shpirt luftarak. Edhe ata janë si të Kosovës dhe besoj se do të bëhet një lojë e fortë, por ne me armën tonë kryesore që e kemi shpirtin luftarak do të shkojmë atje dhe ta japim maksimumin”, ka thënë sulmuesi i Mallorcas. Kosova ndeshjen e fundit e luan ndaj Qipros në Prishtinë më 27 shtator.