Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka thënë se është krenar dhe i nderuar që ka pasur mundësinë të luajë për Fenerbahçen. Muriqi 28-vjeçar për Fenerbahçen luajti nga viti 2019 deri në vitin 2020. Në Turqi, Muriqi ka luajtur edhe për Giresunsporin, Gençlerbirligin dhe Rizesporin.
Pas shpërthimit te Feneri, Muriqi kaloi në radhët e Lazios. Por, te Lazio nuk tregoi vlerat e tij, ndërsa aktualisht është te Mallorca. Në gjashtë paraqitje në sezonin aktual me fanellën e klubit spanjoll ka shënuar tre gola. Por, Muriqi thekson se me kalimin te Fenerbahçe i ishte realizuar ëndrra.
“Jam krenar dhe i nderuar për atë që bëra në Fenerbahçe. Ishte ëndrra ime të transferohesha në Fenerbahçe. Në vitin tim të parë kisha barrën e golave. Mund të kisha shënuar edhe më shumë. Ndonjëherë nuk mund të shënoja, por kjo ndodhi sepse isha shumë i lodhur duke vrapuar. Shikuesit që panë angazhimin tim më mbështetën”, ka thënë Muriqi gjatë një lidhje për një kanal turk që transmetohet në “Youtube”.
Krahas klubeve në Evropë, Muriqi karrierë ka bërë edhe në Kosovë dhe Shqipëri. Në Kosovë luajti për Lirinë e Prizrenit, ndërsa në Turqi për Teutën dhe Besën.