Sport

Debutues e të rikthyer te Kosova për ndeshjet pa vlerë të madhe garuese

Thirrjet e vazhdueshme që në përfaqësuese të ftohen lojtarët e klubeve të Superligës duket se janë dëgjuar. Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, të premten shpalli listën për dy ndeshjet e këtij muaji dhe pjesë e saj janë tre lojtarë të klubeve kosovare. Ballkani, që po shënon sukseset më të mëdha në histori, përfaqësohet në përfaqësuese me Lindon Emërllahun dhe Lumbardh Dellovën. Ndërkohë ftesë ka marrë edhe Ilir Krasniqi i Llapit.

Krasniqi e Emërllahu janë debutues te Kosova A. Dellova tashmë ka debutuar. Në listën e gjatë të Giresses është edhe një debutues. Bëhet fjalë për sulmuesin Shkëlqim Vladi, që luan tek Aarau, në kategorinë e dytë zvicerane. Vladi 21-vjeçar ka shfaqur formë të mirë në fillim të edicionit dhe për këtë u “shpërblye” me ftesë. Ai deri më tani nuk ka veshur fanellën e ndonjë përfaqësueseje. Ai shënoi tetë gola në gjashtë ndeshjet e para, ndërsa në dy ndeshjet e fundit nuk ka shënuar gol. Është golashënuesi më i mirë në kategorinë e dytë helvetike.

Tek Aarau janë shprehur krenarë që kanë dhënë edhe një lojtar për përfaqësuese. Donat Rrudhani ishte ftuar nga Kosova sa ishte ende pjesë e kësaj skuadre.

“Jam i lumtur që mund të bëj hapin tjetër në karrierë dhe do t’i qasem këtij angazhimi me motivim maksimal dhe me përuljen e duhur. Natyrisht edhe me synimin për të nxjerrë maksimumin dhe për të dhënë kontributin personal në suksesin e përbashkët të ekipit përfaqësues”, ka thënë Vladi.

Kosova më 24 shtator luan në udhëtim ndaj Irlandës së Veriut, ndërsa më 27 shtator e pret Qipron. Janë këto ndeshje pa vlerë të madhe garuese dhe Giresse me shumë mundësi do t’ua japë rastin lojtarëve që grumbullohen për herë të parë. Janë ndeshjet e fundit të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Kosova garon në Grupin 2 të Ligës C, ndërsa është e dyta me gjashtë pikë nga katër ndeshje. Greqia e ka fituar grupin tashmë dhe avancon në Ligën B për edicionin e ardhshëm. Ndërkohë Irlanda e Veriut dhe Qipro i kanë nga dy pikë dhe njëra prej tyre do të mbetet e fundit dhe potencialisht do të bjerë në Ligën D. Kështu që dy ndeshjet janë mundësi e mirë për selektorin Giresse për të provuar lojtar të rinj dhe eventualisht edhe skema të reja taktike.

Për herë të parë Giresse e ka ftuar edhe mbrojtësin e krahut të majtë, Leart Paqarada. Ai në fakt ishte pjesë e Kosovës për kohë të gjatë, por kishte vendosur të largohej, i revoltuar me ish-selektorin, Bernard Challandes. Paqarada ishte shprehur i gatshëm për kthim pas ndryshimit të selektorit, por nuk është ftuar deri më tani.

Pos tij është kthyer edhe Hekuran Kryeziu, që për kohë të gjatë ishte mesfushori kryesor i Kosovës. Por Kryeziu pësoi rënie në karrierë, sa u takon klubeve, dhe mbeti jashtë. Pas afro një viti është kthyer edhe Bersant Celina, që së fundi luajti dhe ishte i grumbulluar në tetorin e vitit të kaluar.

Ndërkohë jashtë përfaqësueses kanë mbetur emra të njohur. Valon Berisha, i transferuar së fundi në Australi, nuk është ftuar për ndeshjet e këtij muaji. Ftesë nuk mori as Benjamin Kololli, që luan në Japoni. Edon Zhegrova ka pësuar lëndim së fundi dhe po ashtu mbeti jashtë. Nuk janë ftuar as Blendi Idrizi, Lirim Kastrati, Emir Sahiti, Astrit Selmani e ndonjë tjetër.

Giresse ka vendosur për lojtarë që po kalojnë më mirë në klubet e tyre dhe për pak emra të rinj e të rikthyer. Rrjedhimisht edhe për të rritur bazën prej nga mund të bëj selektim për grumbullimet e ardhshme.

Lojtarët e ftuar nga Kosova

Arijanet Muriq, Visar Bekaj, Samir Ujkani, Florent Hadërgjonaj, Mërgim Vojvoda, Donat Rrudhani, Amir Rrahmani, Mirlind Kryeziu, Leart Paqarada, Betim Fazliji, Lumbardh Dellova, Fidan Aliti, Ibrahim Dresheviq, Ilir Krasniqi, Lindon Emërllahu, Hekuran Kryeziu, Bersant Celina, Florent Muslija, Florian Loshaj, Toni Domgjoni, Vedat Muriqi, Elbasan Rashani, Milot Rashica, Zymer Bytyqi, Shkëlqim Vladi, Arbër Zeneli