Mesfushori Jude Bellingham do të largohet nga Borussia Dortmundi në fund të këtij sezoni për t’u transferuar në Premier League, ka njoftuar “Sky Sports” të martën.
Bëhet e ditur se 19-vjeçari tashmë ka njoftuar drejtuesit e klubit gjerman për vendimin e tij, pasi sezonin e ardhshëm po dëshiron të luajë në Premier League. Dortmundi gjatë kësaj vere iu rezistoi ofertave të majme për Bellinghamin, i cili ka kontratë deri në verën e vitit 2025.
Manchester City, Manchester Unitedi e Liverpooli mbeten skuadrat favorite për transferimin e tij. Këtë edicion Bellingham ka shënuar dy gola në gjashtë paraqitje për Dortmundin.