Sport

FFK-ja kërkon që stadiumi “Fadil Vokrri” të shpallet “interes nacional”

Dëmtimi i madh i fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ka ngritur shqetësime te Federata e Futbollit e Kosovës se ky stadium mund ta humbë licencën e UEFA-s.

Stadiumi “Fadil Vokrri” është i vetmi në Kosovë që plotëson kriteret për t’u zhvilluar ndeshjet ndërkombëtare.

Në Federatën e Futbollit e Kosovës (FFK) e pranojnë se fusha është dëmtuar shumë dhe kanë kërkuar nga Qeveria që stadiumin “Fadil Vokrri” ta shpallë objekt të rëndësisë së veçantë dhe të interesit nacional.

“Rinovimi i plotë i këtij stadiumi është bërë me pjesëmarrjen e Ministrisë së Sportit, Komunës së Prishtinës dhe FFK-së, por mirëmbajtja e tij është duke u bërë tash e sa vite vetëm nga FFK-ja. Kjo nuk është aspak e lehtë, duke pasur parasysh faktin se për një vit mirëmbajtja kushton rreth 170 mijë euro, teksa edhe numri i aktiviteteve është i papërballueshëm për këtë stadium. Për ta ruajtur këtë impiant, propozoj dhe kërkoj nga Qeveria që ta shpallë atë me një vendim të veçantë si objekt të interesit nacional, siç ka vepruar me disa objekte të tjera. Në të kundërtën ky stadium do të degradohet”, ka thënë kryetari Agim Ademi për faqen zyrtare të FFK-së.

Ai ka propozuar që prioritet për t’i zhvilluar ndeshjet të kenë përfaqësueset e Kosovës, ku thotë se janë tetë ekipe përfaqësuese që zhvillojnë aktivitete në këtë stadium.

“Federata është e gatshme të bashkëpunojë me Qeverinë për ta filluar projektin e rindërtimit të stadiumit ‘Fadil Vokrri’, që do të ishte njësoj si në Shqipëri dhe në disa vende të tjera me koncesion apo në ndonjë formë tjetër, të cilën e zgjedhin mekanizmat tonë qeveritar. Qëllimi është që ky stadium të jetë edhe më modern, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë komercial. Për këtë projekt sigurisht pres vullnetin dhe angazhimin e të gjitha palëve, Qeveri dhe Komunë, që bashkë me Federatën t’i mundësojnë shtetit tonë ta bëjë një stadium, i cili do të ishte konkurrues për të qenë mikpritës edhe i ndonjë eventi të madh të UEFA-s”, ka shtuar Ademi.

Ai ka kërkuar nga institucionet e nivelit qendror e lokal që të shpejtohen punët në stadiumet e qyteteve, si dhe ka kërkuar nga komunat që t’ua vazhdojnë lejet e shfrytëzimit të stadiumeve klubeve në afat maksimal.

Stadiumi i Prishtinës shfrytëzohet nga përfaqësueset e Kosovës në të dyja konkurrencat, si te seniorët, ashtu edhe në grupmoshat e reja. Në nivel klubesh kanë luajtur Prishtina, Ballkani, Drita, Gjilani e Llapi. Shumë ndeshje të tjera pritet të luhen.