Sport

Majlinda tregon për BBC-në emocionet e të artës olimpike

Descriptive Text

Është 29 korriku, dita e dytë e Lojërave Olimpike “Londra 2012”. Të gjithë sytë janë te një nga xhudistet e reja e mbresëlënëse, një yll i ri.

Majlinda Kelmendi ishte vetëm 21-vjeçare, por ish-kampionia botërore për juniore, ishte ngjitur në majat e renditjes në nivel të senioreve.

“Kam pasur shumë presion. Të gjithë prisnin nga unë që të fitoja”, kujton Majlinda Kelmendi.

Në luftën e rrethit të dytë, Majlinda ra me shpinë dhe shpresat e saj për medalje morën fund.

“Për shkak të presionit dhe pritshmërisë, thjesht nuk kam mundur ta jap më të mirën”, flet e dëshpëruar Kelmendi.

Për Majlindën, Lojërat Olimpike të vitit 2012 kanë qenë mundësi e humbur. Por ajo hyri në këtë garë me emocione të përziera.

“Në vitin 2012 nuk kam mundur ta përfaqësoja Kosovën, sepse nuk ishim pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Por, edhe pse isha duke e përfaqësuar Shqipërinë, mendoj se të gjithë e dinin se unë vij nga Kosova”, vazhdon tutje Kelmendi.

Majlinda u lind dhe u rrit në Pejë, nën majat madhështore të vargmaleve të njohura si Bjeshkët e Nemuna.

“Si fëmijë kam qenë shumë e lumtur. Më kujtohet që kemi luajtur me fëmijët e tjerë në rrugë. Më pas nisi lufta”, thotë ajo.

Ishin vitet 1990. Dhe tensionet në Kosovë, atëherë provincë e Serbisë, brenda Jugosllavisë kishin nisur të rriteshin.

Nën drejtimin e liderit nacionalist serb, Sllobodan Millosheviq, regjimi jugosllav kishte nisur një fushatë për shtypjen etnike të shumicës shqiptare.

“Ishte kohë e tmerrshme për të jetuar këtu në atë kohë”.

Kështu thotë trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Toni-Kuka.

“Pati shumë të vrarë nëpër familje. Ata më arrestuan mua, babanë tim, gjithë familjen time, disa herë. Kështu që ky ishte një lloj terrori në popullin shqiptar vetëm të na largonin nga Kosova”, thotë trajneri më i mirë i xhudos në botë.

Dekada u mbyll me luftë, e cila la më shumë se 13 mijë persona të vdekur dhe me miliona të zhvendosur.

“Është e nevojshme që NATO të sulmojë. Forcat serbe po ekzekutojnë shqiptarët dhe po bombardojnë fshatrat”, raportohej nëpër mediat e huaja.

“Gjatë luftës unë dhe familja ime kemi qenë gjatë gjithë kohës në shtëpi. Kjo është pjesë e jetës sime që nuk ndihem mirë për të folur rreth saj. Ende kam kujtime të këqija nga ajo kohë”, tregon Majlinda.

Kur paqja më në fund u arrit, Kosova mbeti nën administrimin e ndërkombëtarëve për tetë vjet, derisa zgjidhja u arrit me statutin final.

Më 17 shkurt 2008, e përkrahur nga Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe aleatëve të tjerë ndërkombëtarë, Kosova e deklaroi Pavarësinë.

“Më kujtohet Toni që qante dhe ishte shumë emocionuese. Si fëmijë nuk mendoj se e kam kuptuar aq shumë se çfarë është duke ndodhur. Kur u ktheva në shtëpi, më kujtohet që qanin edhe prindërit e mi, ishin të lumtur”, kujton Majlinda.

Pavarësisht ngazëllimit, sfidat mbetën. Serbia refuzoi ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe Beogradi i përkrahur nga aleatët e fuqishëm si Rusia dhe Kina bëri që shteti i ri të jetë i bllokuar në skenën ndërkombëtare, përfshirë edhe sportin.

Komiteti Olimpik nuk e pranoi Kosovën si anëtare të tij në kohën kur Majlinda ishte mposhtur në vitin 2012.

E nxitur nga ajo disfatë, Majlinda shkonte duke u forcuar ditë pas dite, duke fituar me sukses kampionate botërore.

“Nëpërmjet rezultateve të Majlindës ne nisëm të bënim një lloj presioni te të gjitha organizatat sportive. Ne luftuam shumë për të na lejuar të garonim si Kosovë, sepse ishim të pavarur”, thotë Driton Kuka.

Në dhjetor të vitit 2014, IOC-ja më në fund votoi për ta pranuar Kosovën në organizatën e vet. Vendimi më në fund e hapi derën që Majlinda të shkonte për medaljen e artë, për shtetin e saj, në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.

“Në Rio ju e mbajtët flamurin në stadiumin olimpik, a mund të na shpjegoni se si u ndjetë kur mbajtët dhe ecët me atë flamur në emër të Kosovës?”, pyet gazetari Majlindën.

“Ishte diçka e jashtëzakonshme, sepse për disa vjet po luftoja për atë ditë që më në fund erdhi. Ishte moment historik jo vetëm për mua, por për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thotë Majlinda.

Vetëm 36 orë më vonë ishte koha e garimit.

“Kam pasur shumë adrenalinë, emocione. Doja vetëm që gara të fillonte”, shprehet Majlinda, ende nën emocione kur kujton atë kohë.

Përgatitjet e Majlindës ishin penguar nga disa lëndime, por ajo ishte në formë të mirë dhe e vendosur.

“Kam thënë: Nëse nuk e kam krahun e majtë, e kam pjesën tjetër të trupit. Ata mund të ma heqin gjithë krahun, përsëri do të bëhem kampione olimpike”, thotë Majlinda.

Ajo kaloi lehtë duelin e parë. I dyti ishte rimeç kundër xhudistes nga Mauriciusi, Christianne Legentil, nga e cila ishte mposhtur në vitin 2012. Por kësaj radhe Majlinda ishte fituese. Fitorja bëri që ajo të ballafaqohet me xhudisten japoneze dhe kampionen botërore Misato Nakamura.

“Ajo ishte kundërshtarja kryesore e Majlindës për medalje të artë”, kujton Driton Kuka

“Para këtij meçi kisha stres, nuk mund të gënjej. Po luftoja ndaj asaj që e kisha idhull”, tregon nga ana tjetër Majlinda.

Ishte meç intensiv, por Majlinda nuk gabonte.

“Majlinda ishte duke bërë aksione të shpejta e të mira, ndërsa xhudisjta japoneze ishte paksa e befasuar nga mënyra se si luftonte kundër saj. Niveli i Majlindës dhe japonezes ishte plus-minus 1%. Dhe në fund, japonezja mori një dënim që ishte e mjaftueshme të fitonte Majlinda. Ishte çmenduri kur përfundoi meçi, sepse e kishim medaljen. Minimumi ishte medalja e argjendtë në Lojërat Olimpike”, thotë me krenari Kuka.

“Kur unë fitova në gjysmëfinale e dija se medalja e artë ishte e imja. Isha shumë e sigurt se do ta mposhtja italianen”, thotë xhudistja tashmë e pensionuar.

Ajo pati të drejtë. Finalja ishte një tjetër meç i madh, por Majlinda e shfrytëzoi më herët në të mirë të saj.

“Në finale isha me shumë vetëbesim dhe e qetë. Nuk doja që ta impresionoja audiencën për të bërë xhudo atraktive. Doja vetëm të fitoja”.

Derisa u dha shenja për fitoren historike, Majlinda u ul në dysheme, para se të përqafohej nga trajneri i saj.

“Më kujtohet që pas luftës dolëm jashtë dhe isha duke bërtitur e duke qarë me zë të lartë. Gazetarët më pyesnin diçka, por vetëm e di se nuk mund të flisja. Vetëm qaja. Isha shumë e lumtur”, shprehet Majlinda.

“Më pas qëndruat në podium, flamuri i Kosovës i ngritur lart, dëgjohej himni shtetëror, çfarë mendonit në ato momente?”, pyetet Majlinda.

“Isha shumë e lumtur dhe qaja shumë. Italiania më tha: Të lutem mos qaj, sepse nuk do të dukesh mirë në fotografi. Haha. Dhe më pas i thashë: Oh, jam shumë e lumtur, nuk mund të ndalem”, tregon Majlinda duke qeshur.

“Momenti më i madh i jetës sime. Brenda këtij momenti kam parë kaq shumë gjëra që i kanë ndodhur popullit tonë. Kam parë gjithë punën që kemi bërë, kam parë duke u thënë njerëzve nëpër botë se ne e meritojmë të jemi pjesë e IOC-së”, tregon Driton Kuka për emocionet pas asaj medaljeje të artë olimpike.

“Gjithë ditën pas garës kam menduar për njerëzit e mi, për shtetin tim. Çfarë po bëjnë, çfarë po mendojnë, si po ndihen”, kujton Majlinda nga ana tjetër.

Një javë më vonë ajo u prit si heroinë pasi e solli medaljen e artë në shtëpi.

“Të gjithë ishin jashtë, askush nuk ishte në shtëpi. Të gjithë fëmijët, njerëzit, të gjithë ishin jashtë duke e thirrur emrin tim. Në sytë e tyre mund të shihja lumturinë dhe shpresën që u kam dhënë. U kam treguar se edhe pse jetojmë në Kosovë, mund të jemi më të mirët në botë. Këto janë momente që asnjëherë nuk do t’i harroj në jetën time”, përfundon Majlinda.