Sport

Spektakël në Koeln, Gjermania pas dy vazhdimeve fiton ndaj Lituanisë

Ndeshje spektakolare është luajtur të dielën pasdite në Koeln. Në kuadër të grupit B të Eurobasketit, Gjermania ka fituar ndaj Lituanisë me rezultatin 109:107.

89:89 ishte rezultati pas kohës së rregullt prej 40 minutave. Ndërkohë pas vazhdimit të parë prej pesë minutash, rezultati ishte 96:96. Kështu fituesi u përcaktua në vazhdimin e dytë. Gjermanët i shënuan 13 pikë, ndërsa i pranuan 11.

Franz Wagner ishte i pandalshëm te Gjermania me 32 pikë e tetë kërcime. Shifra edhe më të frikshme kishte Jonas Valanciunas i Lituanisë. Ai ndeshjen e përfundoi me 34 pikë, 14 kërcime dhe pesë asistime.

Për Lituaninë ishte humbja e tretë rresht. Ndërkohë Gjermania ka fituar tri ndeshjet e deritashme dhe tashmë është në fazën e dytë.