Sulmuesi Erling Haaland po e pushton futbollin anglez. Ai ka shkëlqyer me dy tregolësha, njëri pas tjetrit. I ka nëntë gola në pesë ndeshje kampionale. Asnjë lojtar nuk ka bërë ndonjëherë një start kaq të fuqishëm në Premier League.
“Hat-tricku” i fundit i Haalandit erdhi në pjesën e parë të ndeshjes së fituar 6:0 nga City ndaj Nottingham Forestit të mërkurën mbrëma, katër ditë pasi e bëri të njëjtën gjë në pjesën e dytë kundër Crystal Palacet.
City besonte se Haalandi do të ishte trashëgimtari i Sergio Agueros kur e transferoi muaj më parë dhe parashikimi po del të jetë më se i saktë. Aguero e ka mbajtur rekordin për më së shumti gola në pesë ndeshjet e para të një lojtari në Premier League, me tetë sish, së bashku me ish-sulmuesin e Coventryt, Mick Quinn. Haaland tashmë e ka thyer këtë rekord dhe me siguri se do të bjerë edhe më shumë rekorde të futbollit anglez nëse norvegjezi vazhdon me këtë formë.
Madje Haaland mund të bëhet lojtari i parë që shënon 40 gola në një sezon të vetëm në Angli që nga Jimmy Greaves i Tottenhamit në edicionin 1960/61. Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, nuk ka dyshime për këtë. Sipas tij, Haaland ka ardhur te City për trofe, por edhe për të thyer rekorde.
“Ajo që Haaland dëshiron është të fitojë tituj me Cityn. Duke e njohur atë, mund të them se nuk do të jetë shumë i lumtur të thyej rekorde nëse nuk fitojmë trofe si ekip”, ka thënë Guardiola për sulmuesin, i cili shënoi gol me këmbën e majtë, të djathtë dhe me kokë kundër Forestit.
City po llogaritet favorit i madh për ta fituar titullin e kampionit edhe këtë edicion, falë golave të Haalandit dhe startit prej katër fitoreve e një barazimi në pesë ndeshjet e para. Guardiola nuk ka dashur të flas shumë për titullin, por ka thënë se Haaland mund të bëhet legjendë e Cityt. Në fakt, Guardiola e ka sfiduar Haalandin ta tejkalojë edhe Agueron, i cili është golashënuesi më i mirë në histori të klubit me 275 gola përgjatë dhjetë edicioneve.
“Sergio është legjendë. Askush nuk mund ta marrë vendin që ai e ka në zemrat e tifozëve të Cityt, pasi i ka shënuar golat më të rëndësishëm në historinë moderne të klubit. Mirëpo, Erlingu ka cilësitë të jetë aty, pra të bëhet legjendë e Cityt. Nuk ka të bëjë me të apo Sergion. Atë që ka bërë Sergio është e mahnitshme, por Erlingu e ka këtë talentin e madh”, ka pranuar Guardiola. “Kur City e transferoi Erlingun, të gjithë flisnin për atë që kishte bërë në të shkuarën. Ne donim ta ndihmonim atë dhe po shpresoj që ta shijojë këtë dhe të shënojë edhe më shumë gola. Atë që e ka bërë në Norvegji, Austri dhe Gjermani, Erlingu po mundohet ta bëjë edhe në Angli. Ne e kemi ditur prej fillimit se është një lojtar i talentuar dhe për këtë e kemi transferuar”.
Edhe Guardiola ka pranuar se Haalandi është favoriti kryesor për t’u shpallur golashënuesi më i mirë në Premier League këtë edicion, ndonëse deri më tani i ka luajtur vetëm pesë ndeshje.
“Sa më mirë që luajmë, aq më shumë raste Erlingu do t’i ketë për të shënuar gola”, tha Guardiola.