Sport

Paqarada do t’i gjuajë sërish penalltitë për St. Paulin

Fillimi i tij personal i këtij edicioni ishte efektiv si zakonisht. Ai shënoi një gol dhe bëri dy asistime në gjashtë ndeshjet e para kampionale, shkruan “Kicker”, të mërkurën. Mirëpo, kapiteni i St. Paulit, Leart Paqarada, ndoshta do të donte t’i fshinte nga kujtesa dy paraqitjet e tij të fundit në Bundesligën 2. Mbrojtësi i krahut të majtë gaboi në njërin prej golave që St. Pauli i pranoi në humbjen 2:0 nga Hansa Rostocku, sikurse edhe në duelin e fundit, barazimin 2:2 ndaj Paderbornit. Po ashtu, Paqarada kundër Paderbornit e humbi edhe penalltinë, e cila mund t’ia kishte siguruar fitoren St. Paulit në kuadër të xhiros së gjashtë të kategorisë së dytë gjermane. Me të filluar pjesa e dytë dhe kur St. Pauli ishte në disavantazh prej një gol, e fitoi penalltinë. Përgjegjësinë për të gjuajtur nga pika e bardhë, e mori Paqarada. Megjithatë, nuk arriti ta dërgojë topin në rrjetë duke dështuar. 27-vjeçari pranoi se ende ndihet keq që tentimin e tij e priti portieri kundërshtar Janik Huth.

“Humbja e penalltisë ende më shqetëson dhe atë më shqetëson shumë. Në fakt, unë e godita topin mirë, por portieri bëri pritjen e tij për shkak se unë nuk e ngrita kokën për të parë se ai veçse ishte zhvendosur në kënd. U ndjeva shumë keq për ekipin. Në të vërtetë, ende ndihem keq për këtë”, ka pranuar Paqarada.

Sipas tij, St. Pauli e ka merituar më shumë se një pikë ndaj Paderbornit pasi luajti shumë më mirë sesa në duelin e humbur kundër Hansa Rostockut. Përkundër pikës së fituar, Paqarada thotë se St. Pauli po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. E po ashtu, ai ka bërë me dije se do të vazhdojë t’i gjuajë penalltitë për ekipin edhe në vazhdim të sezonit. Paqarada ka insistuar se qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar aspak pas dështimit ndaj Paderbornit për çka edhe e merr përgjegjësinë. Mirëpo, ai thotë se nuk i pengon që të marrë edhe më shumë përgjegjësi mbi vete për këtë edicion, duke pasur parasysh se është njëri prej “veteranëve” të paktë që ka mbetur në ekip prej sezonit të shkuar.

“Do të gjuaj sërish penalltinë. Po ashtu, edhe në atë ndeshje po të kishim një penallti tjetër, sërish do ta merrja unë përgjegjësinë”, është shprehur Paqarada.

E më këtë qëndrim të Paqaradës, ka mbetur i kënaqur edhe trajneri i St. Paulit, Timo Schultz.

“Të gjithë ata që e njohin ekipin tim vetëm pak, e dinë shumë mirë që lojtarëve nuk iu mungon dëshira për fitore”, u shpreh ai.

Paqarada është pjesë e St. Paulit prej vitit 2020, ndërsa ka kontratë deri në fund të këtij edicioni. Pas gjashtë xhirove të zhvilluara këtë edicion, St. Pauli zë vendin e 11-të në tabelë me tetë pikë të tubuara.