Trajneri i një ekipi rival të Manchester Cityt në Premier League ka pranuar se sulmuesi norvegjez, Erling Haaland, është “sikurse një alien... i fortë, i gjatë dhe më i shpejtë se çdo sulmues tjetër që e ka parë deri më tani”.
Duke pasur parasysh rrezikun që paraqet Haaland për ekipin e tij, ky trajner ka bërë aleancë me trajnerë të klubeve tjera për ta ndalur norvegjezin, ka shkruar “The Telegraph”, të martën. Bëhet e ditur se trajnerët e skuadrave rivale tashmë kanë thirrur njëri-tjetrin për të diskutuar se sa i rrezikshëm është norvegjezi Haaland. Të frikësuar nga dëmi që mund t’ua shkaktojë skuadrave të tyre, falë aftësive fizike dhe teknike që posedon, trajnerët kanë diskutuar për ta gjetur mënyrën se si ta përmbajnë armën e re që e ka në dispozicion Pep Guardiola. Ata tashmë kanë bërë aleancë dhe po shpresojnë që gjatë javëve në vazhdim të gjejnë një formulë të përbashkët për norvegjezin.
Haaland u tregua i papërmbajtshëm në ndeshjen e fundit të Cityt ndaj Crystal Palacet. Ai shënoi “hat-trick” brenda 19 minutave në pjesën e dytë, për ta ndihmuar Cityn ta fitojë ndeshjen me rezultatin 4:2, ndonëse ishte në disavantazh prej dy golave pas pjesës së parë. Me golat e shënuar ndaj Palacet, Haaland tashmë ka gjashtë gola të realizuar në katër paraqitje në Premier League, duke paralajmëruar se është përshtatur më shpejt sesa kishte parashikuar në futbollin anglez. Ai këtë verë iu bashkua Cityt nga Borussia Dortmundi dhe pritet të jetë arma kryesore e Guardiolas drejt mbrojtjes së titullit të kampionit në Premier League. Guardiola tashmë ka rënë në dashuri me Haalandin, por është reagimi i 19 klubeve të tjera, ku trajnerët kanë thirrur njëri-tjetrin për të gjetur mënyra për ta ndaluar atë, që mund t’i nxjerrë punë trajnerit të Cityt.
Mbetet të shihet nëse ata do të gjejnë një plan për ta neutralizuar 22-vjeçarin, i cili pati një paraqitje monstruoze të shtunën. Derisa të gjendet mënyra për ta ndalur, Guardiola vazhdon ta lavdërojë ndikimin që Haalandi ka pasur në ekipin e tij.
“Ajo që është e rëndësishme është se ai është një djalë fantastik, me këmbë në tokë”, tha Guardiola, ndoshta i vetëdijshëm për atë që homologët e tij kanë thënë për Haalandin që është nga një planet tjetër. “Ai mund të kishte ardhur dhe... Nuk e di, por është krejtësisht e kundërta, ne jemi plotësisht të dashuruar me të. Nuk janë vetëm golat, por edhe sa i lumtur është ai. Unë shoh sjelljen e tij dhe reagimin e trupit të tij. Jam i impresionuar prej tij. Ai është gjithmonë aty, duke inkurajuar lojtarët, duke bërë përpjekje të jashtëzakonshme”.
City ishte skuadra më e mirë në Angli pa një qendërsulmues të duhur sezonin e kaluar, ndërsa tani është padyshim ekipi më i mirë në Evropë sa i përket repartit të sulmit.
Guardiola ka pranuar se Haalandit ia ka mohuar “hat-trickun” në debutim në Premier League. Në xhiron e parë, Haalandi shënoi dy gola në fitoren 2:0 të Cityt ndaj West Ham Unitedit, përpara se të zëvendësohej 15 minuta para fundit të ndeshjes.
“Ai nuk arriti të bënte ‘hat-trick’ kundër West Hamit, sepse unë bëra një zëvendësim dhe e largova nga loja. Ne jemi këtu për t’i fituar ndeshjet, jo për të shënuar dy, tre gola. Numrat janë të mirë, por ai është këtu për të na ndihmuar të fitojmë. Pjesa tjetër nuk është e rëndësishme”, shtoi Guardiola. “Sezonin e kaluar nuk mundëm ta mposhtnim Palacen, por fituam titullin. Këtë sezon mundëm Palacen, a do ta fitojmë titullin? Ne jemi këtu për të fituar tituj dhe nëse keni një lojtar si Haalandi ,atëherë ka më shumë gjasa. Ai do të ndihmojë sepse ka cilësi të veçanta”.
Haalandi te City po del të jetë sulmues edhe më mirë sesa ishte te Borussia Dortmundi, ku në total realizoi 86 gola në 89 paraqitje në të gjitha garat. Këtë e konfirmon edhe bashkëlojtari i tij te City, Rodri. Rodri thekson se Haalandi ende nuk e ka gjetur veten mirë te City dhe po përshtatet ende në stilin e lojës së ekipit anglez.
“Ne e kuptojmë që njerëzit dyshojnë ndonjëherë. Por ne e dimë se çfarë lojtari është dhe nga ka ardhur. Ai ka nevojë për tri prekje për të shënuar gol, ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Është e vështirë pak për të në atë pozicion sepse jemi mësuar të luajmë me një nëntëshe false që lëviz shumë dhe tani e kemi atë si referencë që nuk lëviz shumë. Ai duhet të përshtatet ende”, ka thënë Rodri. “Sigurisht, talenti i tij natyror bën ndryshimin, por ai duhet të bëjë më mirë për përfshirjen në lojë. Është normale pasi ai ka një muaj me ekipin dhe ne të tjerët po e ndihmojmë që të përshtatet sa më shpejt”.