Sport

Ademi suspendon kontratën në Rusi, transferohet në Gjermani

Kemal Ademi

Sulmuesi Kemal Ademi i është bashkuar të martën skuadrës së kategorisë së dytë gjermane, SV Sandhausen.

Ademi fillimisht ka suspenduar kontratën me skuadrën ruse, Khimki, bazuar në një vendim të FIFA-s që ua lejon këtë lojtarëve të huaj në klubet ruse. Pasi ka suspenduar kontratën me klubin rus, Ademi ka firmosur me Sandhausenin për edicionin aktual. Te Sandhauseni janë shprehur të lumtur që kanë siguruar shërbimet e sulmuesit shtatlartë. Ndërkohë Ademi pret të jetë i suksesshëm në skuadrën e re.

“Nuk më është dashur të mendoj gjatë kur agjenti më ka thënë për ofertën nga SVS. Jam bindur në kontaktin e parë me drejtuesit e klubit. Shpresoj në paraqitje të mira”, ka thënë Ademi. Ademi në edicionin e kaluar luajti huazim te Paderborni.

Te Khimki në vitin 2021 luajti 13 ndeshje dhe kishte një gol të shënuar. Më herët ishte në Turqi te Fenerbahçe dhe te Fatih Karagumruk. Në Zvicër luajti për Baselin e Xamaxin, ndërsa në Gjermani te Hoffenhaimi. Ademi është 26-vjeçar.