Xhiroja e parë e Superligës së Kosovës në futboll dha dy fitues në frymën e fundit të ndeshjes. Dhe, që të dy golat e këtyre fitoreve u shënuan me kokë. Muhamed Useini i gëzoi prishtinasit pas shënimit në minutën e dytë të kohës shtesë, ndërsa Theophilus ngriti në këmbë gjilanasit në minutën e tretë të shtesës.
Prishtina arkëtoi pikët e plota në debutimi me trajnerin Ismet Munishi. Fitoi në udhëtimin e vështirë në stadiumin “18 Qershori” në Klinë kundër Dukagjinit 2:1.
Golin e parë të sezonit të ri e realizoi Endrit Krasniqi. Krasniqi realizoi nga gjuajtja e lirë prej një distance të largët.
Fillimi është shpresëdhënës për “bardhekaltrit”, ndërsa trajneri Munishi paralajmëroi edhe një herë tjetër një Prishtinë shumë të fortë sivjet.
“Realisht ka qenë një ndeshje shumë e vështirë, ndaj një kundërshtari të fortë. Luftuam të dyja palët. Patëm edhe pak fat, por fati i përcjell trimat. Mua më vjen mirë që kemi arritur që me një ekip të ri, të komponuar, të arrijmë fitore në një fushë të vështirë, ndaj një kundërshtari të fortë. Ne do të vazhdojmë të punojmë, do të krijojmë një ekip të fuqishëm. Po organizohemi shumë mirë. Fitoren e parë ua dedikoj ‘Plisave’”, është shprehur Munishi pas ndeshjes.
Gjilani nga ana tjetër në stadiumin me bar sintetik në Gjilan, mjaft me vështirësi arriti ta mposhtë skuadrën e rikthyer në Superligë sivjet, Ferizajn.
U desh inkuadrimi i zëvendësuesit Theophilus Solomon. Solomon në fakt u zyrtarizua nga Gjilani të premten, dhe një ditë më vonë shënoi dy gola për rikthimin e madh të Gjilanit.
“Lojtarët shfaqën karakter në fushë. Kemi bërë disa gabime, por mendoj se brenda javës do t’i përmirësojmë. Pa gabime nuk ka futboll. Nuk duhet të pranojmë gola të lehtë. Po i quaj të lehtë sepse ishim në epërsi numerike dhe përsëri pranuam gola. Por, kjo është puna jonë. Tri pikët ishin objektivi kryesor. Edhe tifozët i gëzuam me këtë fitore dhe i falënderoj për mbështetjen. Pritshmëritë janë tri vendet e para. Për ta arritur vendin e dytë apo të tretë, ne duhet të luftojmë për vendin e parë. Nuk duhet të fluturojmë me mend sepse do të ishte dëshpërim i madh. Duhet të jemi me këmbë në tokë. Të vazhdojmë ndeshje pas ndeshjeje. Vetëm kështu mund të dalim të suksesshëm në fund të sezonit”, deklaroi Ramadani.
Takim tjetër i zjarrtë në nisje të kampionatit të ri u zhvillua të shtunën edhe në Mitrovicë, përkatësisht në stadiumin “Riza Lushta”.
Ish-kampionia Trepça ’89 u kthye në një kundërshtare shumë të fortë për nënkampionen Dritën.
Drita madje e pa veten në disavantazh të dy golave. Në formë të jashtëzakonshme ishte sulmuesi i vendësve Christian Mba, që shënoi dy gola brenda dy minutash.
“E kemi ditur se do të jetë ndeshje e vështirë. Ne kemi treguar se kemi kualitet dhe cilësi brenda ekipit. Është mëkat që prej avantazhit të dy golave, ndeshja të përfundojë 2:2. Në pranimin e golave ndikoi përqendrimi. Megjithatë, jam i lumtur për angazhimin që e patën futbollistët në fushë si dhe për vullnetin që treguan në duelin ndaj Dritës”, ka nënvizuar trajneri i ’89-shit, Shpëtim Idrizi.
Homologu i tij, Nuhiu, e pranoi se Drita nuk ishte në nivelin e duhur. Tekniku shkupjan theksoi se lojtarët e skuadrës që drejtoi bënë shumë gabime dhe nuk shfrytëzuan ato raste që i patën.
Të dielën luhet vetëm një ndeshje, për shkak se dueli mes Malishevës e Ballkanit është shtyrë. Kampioni i Kosovës, Ballkani, po paraqitet në garat evropiane. Të dielën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj luhet ndeshja ndërmjet Drenicës dhe Llapit. Ky takim nis në orën 17:00.
Superliga – I
E shtunë
Trepça ’89 – Drita 2:2
(Shënues: Mba 36’, 38’ – Islami 72’, Tahiri 85’)
Dukagjini – Prishtina 1:2
(Shënues: Januzi 40’ – Krasniqi 27’, Useini 90+2’)
Gjilani – Ferizaj
(Shënues: Zeka 24’, Solomon 84’, 90+3 – Ramadani 35’, 49’)
E diel (17:00)
Drenica – Llapi
Malisheva – Ballkani (u shty)