Shtesa më e madhe e Atletico Madridit në ekip për sezonin 2022/23 mund të jetë një lojtar që tashmë i përkiste klubit nga La Liga. Alvaro Morata u kthye nga huazimi te Juventusi, ku luajti për dy sezone dhe bëri përshtypje në fazën përgatitore të Atleticos, duke i dhënë shpresë klubit se ai mund të jetë lojtari që i duhet trajnerit Diego Simeone për të kompletuar sulmin e tij. Simeone dukej i mahnitur në bankinë pasi Morata bëri një depërtim të shkëlqyer dhe kaloi dy mbrojtës për të shënuar një prej tre golave të tij në fitoren 4:0 kundër Juventusit në ndeshjen e fundit parasezonale të Atleticos të dielën e shkuar. Morata kishte shënuar gjithashtu në fitoren 4:1 ndaj Cadizit, pasi Atletico mposhti kundërshtarët 13:1 në katër ndeshjet parasezonale që i luajti. Fitoret e tjera të Atleticos erdhën edhe kundër Manchester Unitedit e Numancias. Kishte dyshime nëse Atletico do ta mbante Moratan ose do të përpiqej ta transferonte përsëri në huazim apo edhe ta shiste lojtarin. Juventusi dhe Manchester Unitedi thuhet se janë ndër klubet që ende e duan atë, dhe një transferim ende nuk është përjashtuar plotësisht. Por Atleticos dhe Simeones, me sa duket i pëlqeu ajo që panë nga sulmuesi 29-vjeçar pas kthimit të tij.
“Jam shumë i motivuar”, tha Morata. “Jam i sigurt se do të jetë një vit i mrekullueshëm”.
Morata do ta ndihmonte Atleticon të kompensonte largimin e veteranit Luis Suarez, të cilit nuk iu rinovua kontrata. Opsionet e Simeones përpara do të përmirësoheshin ndjeshëm nëse Morata bashkohet mirë me Antoine Griezmannin dhe Joao Felixin, titullarët e rregullt të skuadrës sezonin e kaluar. Sulmuesit e tjerë të Atleticos mbesin të njëjtët si më parë, me Angel Correan dhe Matheus Cunhan që inkuadrohen shpesh nga banka e rezervistëve. Klubi transferoi këtë verë Samuel Linon, por e dërgoi sulmuesin brazilian te Valencia në formë huazimi. Vitolo Machin tashmë ishte huazuar te Las Palmasi.
“Ka shumë konkurrencë dhe mendoj se është mirë për ekipin”, tha Morata. “Sa më shumë opsione të disponueshme në sulm, aq më mirë është për ekipin”.
Morata luajti në sistemin e të rinjve të Atleticos përpara se të bashkohej me akademinë e Real Madridit dhe përfundimisht të ndihmonte Madridin të fitonte dy tituj të Ligës së Kampionëve. Ai kaloi dy vjet me Juventusin përpara se të kthehej në Madrid dhe më pas nënshkroi me Chelsean në vitin 2017 për një tarifë rekord të atëhershëm të klubit prej rreth 75 milionë eurosh. Ai luajti për Atleticon në sezonin 2019/20, përpara se të huazohej tek Juventusi. Morata dëshiron sa më shumë minuta që të jetë e mundur në fillim të sezonit për t'u përpjekur të sigurojë një vend te Përfaqësuesja e Spanjës për Kupën e Botës në Katar. Ai ka qenë i rregullt në ekipin e përzgjedhësit Luis Enrique dhe duket se do t'ia dalë ta ruajë vendin nëse vazhdon të luajë mirë.
“Kur është një vit i Kupës së Botës, të gjithë janë shumë të motivuar që nga fillimi për t'iu treguar trajnerëve të tyre se e meritojnë të jenë në Kupën e Botës”, insistoi Morata.
Atletico nuk bëri asnjë transferim të profilit të lartë gjatë kësaj vere, duke sjellë belgun Axel Witsel për të forcuar mesfushën dhe për të ndihmuar në mbrojtje, e cila pati vështirësi në mënyrë të pazakontë sezonin e kaluar. Mbrojtësi argjentinas Nahuel Molina gjithashtu u shtua në ekip dhe mesfushori Saul Niguez u rikthye pas huazimit të tij njëvjeçar te Chelsea. Atletico e luan ndeshjen e parë të sezonit 2022/23 në La Liga të hënën. Është mysafir i skuadrës së Getafes. Sezonin e shkuar skuadra e Simeones përfundoi në pozitën e tretë pasi e fitoi titullin e kampionit në vitin 2021.